Gjermani/ Tragjedi në Magdeburg, makina hyn me shpejtësi në Tregun e Krishtlindjeve: Një i vdekur dhe dhjetëra të plagosur

Një incident i rëndë ndodhi mbrëmjen e sotme në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, Gjermani, ku një makinë BMW e errët hyri në turmë, duke shkaktuar të paktën një viktimë dhe midis 60 dhe 80 të plagosur. Lajmi u raportua nga transmetuesi publik Mitteldeutscher Rundfunk, duke cituar burime zyrtare.

Sipas dëshmitarëve okularë, ngjarja nisi në orën 19:04 dhe shpejt alarmoi shërbimet e emergjencës, të cilat mbërritën menjëherë në vendngjarje. Drejtuesi i automjetit është arrestuar nga autoritetet, ndërsa policia ka rrethuar zonën dhe po kryen kontrolle për eksploziv të mundshëm.

Në përgjigje të incidentit, qyteti i Halle, rreth 80 kilometra larg, ka rritur masat e sigurisë në tregjet e tij të Krishtlindjeve dhe spitalet lokale po përgatiten për të pritur të plagosurit. Tobias Teschner, kreu i departamentit të sigurisë në Halle, ka konfirmuar gatishmërinë për të menaxhuar situatën.

Ky sulm ka tronditur qytetarët dhe ka ngritur shqetësime për sigurinë në tregjet e Krishtlindjeve në Gjermani. Autoritetet vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të siguruar që tregjet të mbeten të sigurta për qytetarët.