Një 32-vjeçar nga fshati Zogjaj i njësisë administrative Shupenzë në Bashkinë e Bulqizës është shpallur i zhdukur nga familjarët e tij. Sipas tyre, Artur Lleshi është nisur me datë 10 Prill të këtij viti për Maqedoni ku dhe punonte prej 3 vitesh në Gostivar si çoban ndërsa që prej asaj date nuk ka patur asnjë kontakt me familjen.
Bashkëshortja Leonora Lleshi thotë se burri i saj Arturi ka hyrë në Shqipëri me datë 2 Prill dhe me datë 10 është nisur sërish drejt Maqedonisë dhe se nuk ka asnjë konkat më me të. Bashkëshortja dhe tre fëmijët e Arturit nuk kanë asnjë kontakt me 32 vjeçarin.
Ndërsa i vëllai i Aurtit, Lulzimi thotë se është interesuar në Maqedoni e Kosovë por nuk ka asnjë shenjë të Arturit. Lulzimi na thotë se ka bërë denoncime në dy shtet fqinje si dhe në policinë e Bulqizës, por s’ka marrë asnjë përgjigje deri sot. Vetë Lulzimi pohon se familja nuk ka konflikte me askënd e po ashtu edhe vëllai i tij. Apeli shkon për shtetin shqiptar që të ndërhyjë për gjetjen e vëllait të tij.
Familja e të zhdukurit Artur Lleshi është zhvendosur nga fshati Zogjaj në qytetin e Bulqizës që pas humbjes së kontakteve me kryefamiljarin.
Një “legjendë” është dëgjuar nga ana e tyre, por nuk dihet si është e vërteta.
“Thonë se disa shqiptarë mbahen në malet e Gostivarit nga pronarë që shfrytëzojnë pyjet. U merren telefonat dhe nuk i lejojnë të komunikojnë me të afërmit. Nuk dimë sa e vërtetë është kjo, por ne kërkojmë ndihmën e Policisë shqiptare”, thonë të afërm të familjes Lleshi.
“Jemi shumë të shqetësuar për fatin e Turit. Të afërmit tanë kanë udhëtuar drejt Gostivarit dhe kanë kërkuar ta takojnë aty ku ai punonte, por pronarët ku ai punonte janë shprehur se nuk ndodhet aty. Është hera e parë që ne nuk lidhemi për një periudhë kaq të gjatë. Jemi interesuar edhe pranë Policisë së shtetit fqinj dhe nuk kemi marrë një përgjigje. Edhe këtu në Komisariatin e Bulqizës kemi kërkuar ndihmë. Fëmijët kërkojnë babin e tyre”, shprehet bashkëshortja e Artur Lleshit.