Aktakuzë për vrasjen te “Mavrovasja”, e ka vrarë për përfitim personal, ka qëlluar edhe ndaj policisë gjatë përpjekjes për t’u arratisur

Një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka paraqitur aktakuzë kundër një personi, i cili akuzohet për kryerjen e veprave penale – Vrasje sipas nenit 123, paragrafi 2, pika 4 dhe Vrasje sipas nenit 123, paragrafi 2, pika 8, lidhur me nenin 19 (në tentativë), si dhe vepër penale – Prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregtim të paautorizuar të armëve dhe materialeve shpërthyese, sipas nenit 396, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

I akuzuari, më 20 gusht, pas qendrës tregtare “Mavrovasja” në Shkup, për interes personal, me një të shtënë nga arma e zjarrit – pistoletë, e ka privuar nga jeta të dëmtuarin Vasil Eftimov, pas së cilës ka kërcënuar edhe gruan e tij me pistoletë dhe i ka marrë çantën që ajo e mbante në shpinë, si dhe një kuti me ngjyra të ndryshme, e mbuluar me një çadër, e cila përmbante mjete të ndryshme dore, të cilat të dëmtuarit i kishin në automjet.

Më pas, ai ka ikur me një automjet me targa belge në drejtim të Gazibabës. Më vonë, gjatë të njëjtës ditë, kur oficerët e policisë e kanë ndaluar të akuzuarin së bashku me një person tjetër në një automjet në rrugën “Stojna Stefkovska” në Shkup, ai ka dalë nga dera e pasagjerit dhe ka shtënë 3 plumba drejt katër oficerëve të policisë në përpjekje për t’i privuar ata nga jeta.

Policët, në vetëmbrojtje, kanë shtënë disa plumba paralajmërues në ajër me armët e shërbimit dhe kanë arritur ta kapin të akuzuarin, pas së cilës ai ka hedhur pistoletën dhe është arrestuar. I akuzuari do të përgjigjet edhe për mbajtjen e paautorizuar të armës me të cilën ka kryer veprën – një pistoletë semi-automatike markë “GLOCK 17”, pa numër fabrike, kalibër 9 mm, të cilën e mbante pa leje. Prokurori publik ka dërguar një propozim në Gjykatën Penale të Shkupit për vazhdimin e masës së paraburgimit të caktuar për të akuzuarin.