Lëshohet në përdorim çerdhja “Rilindja” në Tetovë, në hapjen solemne të pranishëm Kasami dhe Limani

Përmes një njoftimi, Ministria për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini informoi se ministri Fatmir Limani, së bashku me kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, sot kanë vizituar objektin e ri “Rilindja” pranë institucionit publik “Rinia” në Komunën e Tetovës, për të inspektuar aktivitetet para hapjes së tij.

Kjo është vizita e dytë e ministrit në këtë kopsht, pa ftesë për mediat. Në muajin nëntor, ai ishte atje për të dorëzuar vendimet për punësim.

Në njoftim thuhet se kopshti është plotësisht i përfunduar dhe së shpejti fëmijët nga kjo zonë do të kenë mundësinë të kalojnë ditët e tyre të fëmijërisë aty.

Hapja e këtij kopshti do të mundësojë përfshirjen e 165 fëmijëve të moshës deri në 6 vjeç në procesin parashkollor.

Ndërtimi është financuar përmes Programit Vjetor të Veprimit “Mbështetja e BE-së për Arsimin, Punësimin dhe Politikën Sociale” për vitin 2017, me një buxhet të përgjithshëm prej rreth 805,000 €, nga të cilat Bashkimi Evropian ka financuar rreth 705,000 €, ndërsa shteti ka siguruar bashkëfinancim nga buxheti kombëtar prej rreth 100,000 €.

Për funksionimin normal të saj, janë siguruar edhe 29 vende të reja pune.