Pas më shumë se një dekadë arrati – u ekstradua Hedi Ramkovski, djali i Velija Ramkovskit

Pas më shumë se një dekadë arrati, para gjashtë muajsh në Maqedoni është ekstraduar Hedi Ramkovski, djali i Velija Ramkovskit, ish-pronari i televizionit dikur me ndikim A1, i cili tashmë e ka vuajtur dënimin dhe është i lirë.
Lajmi se Ramkovski ndodhet në Shutkë është publikuar në rrjetet sociale, por është konfirmuar edhe nga institucionet zyrtare.

Ramkovski është ekstraduar që në korrik, por deri tani kjo nuk ishte bërë publike.
Drejtori i burgut “Shkupi” në Shutkë e ka konfirmuar për “Sloboden Peçat” se Ramkovski ndodhet në burg dhe se procesi gjyqësor i përsëritur për të është ende në zhvillim.

• Hedi Velija Ramkovski, i lindur më 20.07.1974, u dënua në mungesë me 7 vite burgim për veprat sipas nenit 394 (organizatë kriminale), nenit 273 (pastrim parash) dhe nenit 279 (evazion fiskal). Ai filloi vuajtjen e dënimit në burgun e sigurisë së lartë në Idrizovë më 04.07.2024. Pas përsëritjes së procedurës gjyqësore, iu caktua masa e paraburgimit dhe më 26.07.2024 u transferua në burgun e Shkupit, tha Utkovski për “Sloboden Peçat”.

Ramkovski u largua nga vendi menjëherë pasi u hap hetimi për rastin “Rrjeta”.

Procesi gjyqësor, ku u akuzuan 23 drejtues dhe themelues të kompanive të “Pero Nakov” në Shkup për evazion fiskal, pastrim parash dhe organizatë kriminale, përfundoi në vitin 2012.

Velija Ramkovski u dënua atëherë me 13 vite burgim, por për shkak të problemeve shëndetësore u lirua për trajtim mjekësor në fund të vitit 2017.

Djali i tij, Hedi, u dënua në mungesë me shtatë vite burgim, por tani ka të drejtë të përsërisë procesin gjyqësor.