Djali i gjyqtari non-grata Enver Bexheti, ka dhënë provimin e jurispodencës pa përvojë të mjaftueshme pune, pastaj është punësuar prokuror në Prokurorinë e Tetovës

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka zbuluar parregullsi serioze në lidhje me dhënien e provimit të jurisprudencës nga ana e djalit të gjyqtarit non-grata Enver Bexheti. Sipas KSHPK-së, ai e ka dhënë provimin pa e përmbushur kushtin ligjor për përvojë të mjaftueshme pune si jurist.

Kjo procedurë, siç është theksuar, është mundësuar me vendim të një ish-ministri të drejtësisë. Ky rast e ka rikthyer në vëmendje çështjen e gjyqtarit Bexheti dhe integritetin e sistemit të drejtësisë.

Bëhet fjalë për Jetmir Bexhetin, i cili, me provimin e jurisprudencës të firmosur në Ministrinë e Drejtësisë, pa asnjë pengesë u regjistrua në gjeneratën e shtatë të Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë (AGJPP). Akademia, si institucion, detyrohet të besojë në vulën e Ministrisë së Drejtësisë. Pas kësaj, ai ka përfunduar me sukses studimet.

Raportohet se raste të ngjashme ka edhe në gjeneratën e tetë të Akademisë.

Kohët e fundit, Jetmir Bexheti është zgjedhur prokuror në Prokurorinë Themelore Publike të Tetovës.

Enver Bexheti së fundmi u vendos në listën e zezë të ShBA-ve për korrupsion.