VMRO-DPMNE: Grubi dhe ndihmësit e tij duhet të përgjigjen penalisht para organeve të Maqedonisë

Artan Grubi duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet kriminale. Ai u gjend në listën e zezë të SHBA-së për shkak të veprave kriminale dhe korruptive, thonë nga VMRO-DPMNE.

“Partneri strategjik ka siguruar prova që Grubi ka marrë ryshfet për të ndikuar në çështje dhe vendime gjyqësore. Grubi nuk ka qenë i vetëm në ndikimin mbi gjyqësorin; logjistikën për këtë ia kanë siguruar mbështetësit nga LSDM. BDI dhe LSDM, së bashku, për shtatë vite, kanë emëruar njerëzit e tyre në sistemin gjyqësor. Gjyqtarët dhe prokurorët janë zgjedhur në shtabet e tyre partiake.

Shtrohet pyetja: në sa procese gjyqësore dhe vendime gjyqësore kanë ndikuar LSDM dhe BDI, duke penguar drejtësinë, apo në sa raste civile kanë ndikuar për të marrë vendime në favor të tyre?”

Prandaj, sistemi gjyqësor është plotësisht i komprometuar, me një besim prej vetëm 2% nga qytetarët. Për këtë degradim dhe ndërhyrje në drejtësi, duhet të ketë përgjegjësi. Të gjithë bashkëpunëtorët e Grubit, ashtu si ai, duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të përballen me drejtësinë para organeve maqedonase. Prokuroria publike nuk duhet të presë, por duhet të veprojë menjëherë dhe të sigurojë provat.

“Nëse SHBA ka mundur të sigurojë prova për ndërhyrjet dhe ndikimet e Grubit në vendimet gjyqësore, të njëjtat mund dhe duhet t’i sigurojnë edhe organet tona hetimore. I bëjmë thirrje gjyqtarëve dhe prokurorëve të zgjohen dhe të fillojnë të bëjnë punën për të cilën paguhen nga qytetarët, në përputhje me ligjin. Duhet të ketë përgjegjësi penale për Grubin dhe ndihmësit e tij në LSDM dhe BDI,” thonë nga partia.