Në UT u mbajtën ligjërata profesionale për farmakovigjilencën

Programi studimor i Farmacisë i Universitetit të Tetovës organizoi mbajtjen e ligjëratave profesionale me temë “Farmakovigjilenca – Siguria e barnave dhe e pacientit”, që kishin për qëllim të rrisin ndërgjegjësimin dhe njohuritë rreth praktikave më të mira të monitorimit të sigurisë së barnave dhe të nxjerrë në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet vendeve punonjësve të shëndetësisë, institucioneve dhe industrisë farmaceutike në këtë drejtim.
Ngjarjen e sotme e përshëndeti Prorektori për Shkencë Prof. Dr. Vullnet Ameti i cili u shpreh se Universiteti i Tetovës, si qendër e arsimit të lartë dhe e kërkimit shkencor, mbështet iniciativat që kontribuojnë në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe forcojnë bashkëpunimin midis institucioneve akademike dhe profesionistëve në terren. “Siguria e barnave dhe përgjegjësia për pacientët janë shtyllat kryesore mbi të cilat ndërtohet besimi i publikut ndaj sistemit shëndetësor. Kjo është arsyeja pse ligjëratat e sotme paraqesin jo vetëm një mundësi për zhvillim profesional, por edhe një detyrim moral për të avancuar njohuritë dhe për t’i zbatuar ato në praktikë.”- u shpreh në fjalën e tij Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Ndërsa dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore, Prof. Dr. Nevzat Elezi i falënderoi të gjithë që kontribuuan për organizimin e këtij aktiviteti, duke u shprehur se ngjarjet e këtilla janë të mirëseardhura pasi na ndihmojnë të kuptojmë për sigurinë e barnave, gjithnjë pa harruar sigurinë e pacientëve. Ai tha se Fakulteti i Shkencave të Mjekësore do të vazhdojë të mbështesë çdo ngjarje që do të organizohet në kuadër të aktiviteteve arsimore – shkencore.
E pranishme në ngjarjen e sotme ishte edhe Kryetarja e Odës së Farmacistvë të RMV-së, Vesna Stavrova e cila shprehu kënaqësinë e saj që merr pjesë në një ligjëratë profesionale për farmakovigjilencën, duke theksuar se kjo është një mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer njohuri dhe përvoja si dhe për të forcuar sistemet tona të monitorimit të sigurisë së barnave.
Në cilësinë e organizatores së kësaj ngjarjeje, shefja e programit studimor të Farmacisë në Universitetin e Tetovës, Doc. Dr. Arjeta Shabani tha se organizimi i kësaj ligjërate profesionale është rezultat i angazhimit të përbashkët të Universitetit të Tetovës në bashkëpunim me Agjencinë e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore në RMV. Sipas saj kjo ligjëratë pasqyron përpjekjet e përbashkëta për të kontribuuar në zhvillimin e shkencës dhe edukimit në vazhdimësi.
Lidhur me ligjëratën e sotme profesionale, më gjerësisht folën, Prof. Dr. Arlinda Haxhiu Zajmi – profesoreshë në katedrën e Farmacisë në UT, Elona Çilku – udhëheqëse e njësisë së barnave në Agjencinë e Barnave dhe Pajisjeve Mjeksore në RMV, Marjana Panajotoviq Pop Nikola, përgjegjëse e farmakovigjilencës globale në Alkaloid dhe Joana Stojanovska Andonovska- Kryetare e Shoqatës së Barnatoreve Private në RMV.