Sot “Dita D” në Kushtetuese, gjykata pritet të marrë vendim mbi Ligjin për Gjuhët

Gjykata Kushtetuese sot do të mbajë seancën e 32-të ku një ndër pikat e rendit të ditës është edhe iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve në lidhje me Dekretin për shpalljen e tij, të ligjit në tërësi, si dhe veçmas 25 nenet e ligjit. BDI në prag të seancës ka filluar “roje për gjuhën” me prezencë 24 orëshe para Gjykatës Kushtetuese ku thonë se qëndrojnë në mbrojtje të Ligjit për Gjuhët.

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova u tha liderëve partiakë që të përmbahen nga komentet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Gjuhët, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski në një porosi për qytetarët tha që të mos bien pre e provokimeve të BDI-së, që siç tha ai, “sillen si brejtës politikë”.

Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë Arben Fetai në konferencën “Miqtë e Evropës” në Bruksel tha se gjyqtarët jashtë komuniteteve shumicë në Maqedoninë e Veriut nuk do të marrin pjesë në seancën e Gjykatës Kushtetuese, ku duhet të diskutohet kushtetutshmëria e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Sipas tij, në Maqedoninë e Veriut disa nga ligjet miratohen sipas parimit të shumicës së dyfishtë të Badenterit, por sipas vlerësimit të tij, Gjykata Kushtetuese disa herë e ka vënë veten në rolin e vendimmarrjes për çështje politike dhe ka fuqi të rrëzojë ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski në një intervistë për MIA-n ka thënë se me Ligjin për gjuhët, politika ka krijuar një lloj kaosi juridik i cili rezulton me kaos politik, mosbesim dhe dilema.

“Opinioni e ka parë tashmë raportin e Komisionit të Venecias. Gjykata Kushtetuese e ka fjalën për të marrë një vendim të argumentuar kushtetuto-ligjore dhe të arsyeshme. Çfarë mund të vendoset, nuk e di dhe nuk mund ta di dhe nuk do të komentoj”, ka thënë Kostadinovski.

Lënda e Ligjit për gjuhët përbëhet nga 13 iniciativa nga qytetarë, parti politike, shoqata të ndryshme, ndërsa është formuar në vitin 2019 dhe është aktualizuar këtë vjeshtë pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias.