Shoqata e Gjyqtarëve: Vënia e një gjyqtari në listën e zezë të SHBA-ve është një goditje serioze për nderin dhe reputacionin e tij

Gjykatësi Enver Bexheti, i cili nga dje është në “listën e zezë” të SHBA-ve, u bë i njohur për mbajtjen në sirtar të çështjes “Target-Tvrdina”, në të cilën i akuzuari kryesor ishte ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijalkov. Për mbajtjen e papranueshme të gjatë të dosjes, ashtu siç e konstatoi një komision i Këshillit Gjyqësor, ai u dënua me një gjobë prej 20% të pagës për gjashtë muaj. Pas vendosjes së gjyqtarit të Gjykatës Apelative të Shkupit, Enver Bexheti, në “listën e zezë” për shkak të përfshirjes në korrupsion të rëndë, Shoqata e Gjyqtarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut sot kërkoi të zgjidhet shpejt rasti, për të mbrojtur pavarësinë dhe integritetin e sistemit gjyqësor në vend.

Sipas Shoqatës së Gjyqtarëve, e cila drejtohet nga kryetari i Gjykatës Themelore Penale të Shkupit, Ivan Xholev, vendosja në “listën e zezë” të SHBA-së të një gjyqtari është një goditje serioze për nderin dhe reputacionin e funksionarit të caktuar të pushtetit gjyqësor, në këtë rast gjyqtarit Bexheti.

“ Duke pasur parasysh rëndësinë e sjelljes etike dhe integritetit të gjyqtarëve, të cilat duhet të jenë të patundshme dhe në përputhje, së pari me Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë, por edhe me ligjet ndërkombëtare dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara si partnerë tanë strategjikë, Shoqata apelon për një zgjidhje të shpejtë të rastit, kryesisht për ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit të sistemit gjyqësor në vend”, thuhet në deklaratën e Shoqatës së Gjyqtarëve.