Gjykatësi Bexheti nga Lista e zezë e SHBA-ve e vjetroi lëndën për Mijallkovin, shkarkoi Damevën dhe shkaktoi kaos në zgjedhjen e gjykatësve të Supremes

Gjykatësi i Apelit Enver Bexheti, krahas Artan Grubit të BDI-së, është një ndër 14 personat në listën e re të zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit me personat dhe familjet e tyre të afërta të cilëve u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe gjykatësi i Apelit Enver Bexheti janë cilësuar publikisht për përfshirje në korrupsion të madh duke pranuar ryshfet për të çrregulluar procedurat gjyqësore lidhur me dënimin penal të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të DSK-së, shkruan Sdk, transmeton Portalb.mk.

Gjykatësi Enver Bexheti nga Gjykata e Apelit në Shkup ra në sy me atë që përkundër pyetjeve të vazhdueshme: “kur, kur, kur do të caktojë gjykimin e Sasho Mijallkovit, pse po e fsheh, a po e mban qëllimisht në sirtar që të vjetërsohet?”, ai si gjykatës raportues i çështjes së përgjimeve “Target-Fortesa” thjesht ka heshtur. As kryetarët e gjykatës nuk dinin çfarë të thonë, e aq më pak zëdhënësit, sepse Bexheti e kishte robëruar këtë çështje. Kolegët e tij nga Gjykata e Apelit në Shkup filluan të dyshojnë se ai merr ryshfet, përmendën tarifat në euro, edhe atë në ditë, për mbajtjen e lëndës.

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, nën presionin e opinionit publik e ka vënë në rend dite rastin e lëndës së robëruar “Target-Fortesa”, por jo vetëm atë, por edhe lëndën “Transporteri” ku akuzohej ish-kryetari i Manastirit Vlladimir Taleski, të cilën nga ana tjetër, Bexheti e mbajti në sirtar për tre vjet dhe nuk e vuri në vendimmarrje.

Në tavolinë u gjend edhe lënda “Thesari”, të cilën e mbajti për pesë muaj gjykatësja e Apelit Lirije Elezi, bashkëshorti i së cilës ishte i punësuar nga i akuzuari Sasho Mijallkov në DSK dhe ishte drejtor dhe mik i ngushtë i tij.

Dhe me të vërtetë, të gjitha këto lëndë u vjetëruan. Gjykatësja Elezi shpëtoi.

Kur në fund të dhjetorit, Dameva ia doli pas një beteje të vështirë me anëtarët e Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi, Hanif Zendeli, Milazim Mustafa e të tjerë, t’i vërë rastet në diskutim, u votua që të bëhet kontroll urgjent te këta gjykatës.

Në janar të këtij viti kontrolli përfundoi.

“Nuk ka arsye të justifikuara se pse lëndën e përgjimeve të paligjshme masive, të njohur si “Target-Fortesa”, gjykatësi-raportues Enver Bexheti nga Gjykata e Apelit në Shkup për 9 muaj nuk e ka vendosur në vendimmarrje. Me këtë veprim janë krijuar kushtet që kjo lëndë me interes shumë të lartë publik të vjetërsohej dhe të mbyllej. Kjo lëndë do të vjetrohet, sepse aktgjykimi është anuluar, gjykimi është kthyer në fillim në Gjykatën Themelore Penale”, thuhet në raportin nga kontrolli i kryer.

I akuzuari kryesor këtu është Sasho Mijallkov, i cili në shkallë të parë është dënuar me 12 vjet burg. Edhe te “Transporteri”, lëndë e cila për gati tre vjet qëndronte në sirtar në Apel, gjykatës raportues ishte Enver Bexheti. Në ditët e fundit të dhjetorit 2022 u soll aktgjykimi, pasi mediat me këmbëngulje shkruanin se rastin e mbulonte pluhuri në Apel dhe i akuzuari kryesor, ish-kryetari i Manastirit, Vlladimir Taleski, merrte pagë nga Teatri duke qëndruar në shtëpi në arrest shtëpiak. Nga këto tre vite, nëntë muaj janë nga mos shkrimi dhe mospublikimi i aktgjykimit.

Aktgjykimi është sjellë në prill, por gjykatësi-raportues nuk ka pasur kohë ta shkruajë, edhe pse afati për këtë është 60 ditë, që do të thotë se është dashur të publikohet në qershor dhe Taleski prej atëherë të shkojë në burg.

Edhe për “Thesarin”, ku gjykatëse rasportuese ishte Lirije Elezi, ndërsa i akuzuari kryesor në këtë rast për blerjen e paligjshme të pajisjeve britanike të përgjimit ishte sërish Sasho Mijallkov, Këshilli Gjyqësor konstatoi se njëlloj si në rastet e mëparshme nuk ka arsyetim se pse ka kaluar një periudhë e tillë për shpalljen e aktgjykimit.

Edhe në këtë rast Mijallkovit i është anuluar dënimi prej 8 vitesh dhe lënda është kthyer në Gjykatën Themelore Penale për rigjykim. Me ndryshimet e turpshme të Kodit Penal u shua edhe ky rast i Mijallkovit.

Këto gjetje në raportin e janarit 2023 i shqetësuan dy nga anëtarët e emëruar politikisht të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi, nënkryetarin e Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi, dhe anëtarin Milazim Mustafa. Ata kundërshtuan konstatimet e ashpra në kallëzim, madje kërkuan të pritej me konkluzionet dhe të shihet se pse këto procedura janë zhvilluar kaq gjatë në Gjykatën Penale.

Por, për shkak të Enver Bexhetit filluan të radhiten skandale në Këshillin Gjyqësor dhe në prill të vitit 2023 ndodhi një puç, ku Selim Ademi dhe mbështetësit e tij, të cilët edhe sot janë ulur në Këshillin Gjyqësor dhe marrin paga mbi 2000 euro, me dhunë dhe në mënyrë të kundërligjshme e shkarkuan Vesna Damevën, sepse ka dashur të zhvillojë procedurë disiplinore.

Pas një denoncimi kaq të arsyetuar për të kapurin Enver Bexheti, ishte normal zhvillimi i një procedure shkarkimi. Nuk erdhi deri aty, sepse u shkarkua Dameva dhe u emërua kryetari Sashko Georgiev, i cili ka votuar për shkarkimin e saj të paligjshëm. Enver Bexheti ishte aq i fortë, sa anuloi një shpallje për zgjedhjen e gjykatësve në Gjykatën Supreme, sepse shumica nuk e ka votuar atë. Ai ishte aq i pacipë sa pas një raporti kaq korruptiv për të, kandidon ende për postin e gjykatësit suprem dhe për shkak se Këshilli nuk e zgjedh atë, mbështetësit nuk votojnë për të zgjedhur gjykatës të tjerë. Ata madje po shantazhojnë me atë. Dhe aq i fort, sa kundërshtarët e Damevës i fillonin seancat e Këshillit Gjyqësor duke pirë kafe me të në afërsi të Gjykatës së Apelit në Shkup.

Enver Bexheti është kuadër i BDI-së. Derisa partia e mbronte, ai e regjistroi djalin e tij në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë dhe sot është zgjedhur dhe punon.

Enver Bexheti figuron edhe si ligjërues në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë.

Në qershor të vitit 2023 pati një përpjekje që Georgievi ta vendosë në rend dite shkarkimin e Enver Bexhetit. Një anëtare e Këshillit Gjyqësor e cila ishte lidhur me seancën online është zhdukur nga komunikimi në Viber. Ishte e pakapshme për këdo dhe nuk kishte kuorum për punë. Këtu shpëtoi gjykatësi Bexheti.

Por prandaj në nëntor të të njëjtit vit ai e pësoi. Për sjelljen e tij joprofesionale, të pamatur dhe korruptive, Këshilli Gjyqësor e gjobiti me 20 përqind të pagës.

“Vendosja e sotme e Artan Grubit dhe Enver Bexhetit është dëshmi se ndërhyrjet politike në drejtësi nuk mund dhe nuk do të tolerohen. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të emërtojnë ata që përfshihen në korrupsion të konsiderueshëm, sepse kjo i rrënon institucionet demokratike dhe cenon besimin e publikut. Askush nuk është mbi ligjin dhe përgjegjësia është e nevojshme për progres”, ka shkruar ambasadorja Angela Ageler në rrjetet sociale.

Mijallkovi gjithashtu u shënua nga Departamenti i Shtetit për korrupsion të konsiderueshëm në vitin 2022.

Departamenti i Shtetit shton se në listë gjenden edhe anëtarët e familjes së ngushtë të Grubit.

Këtë vit në listën e zezë amerikane u shtuan: ish prokurorja Katica Janeva dhe kryetari i Karposhit, Stevço Jakimovski. Vitin e kaluar, SHBA zgjeroi “listën e zezë”, duke futur në të: kryetarin e Komunës së Strugës, Ramis Merko , ish- zëvendëskryeministri Koço Angjushev, biznesmeni Orce Kamçev dhe familja e tij, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të profilit të lartë si dhe kompania “Cytrox“. Në “listën e zezë” amerikane janë edhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish deputeti Xhevat Ademi, ish ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski dhe të tjerë.

Kujtojmë që propozim Ligji për masat kufizuese, pra ligji që përfshin personat e listës së zezë arriti në Kuvend në janar, por Qeveria teknike e tërhoqi me arsyetimin për harmonizime shtesë.

Ndryshe, Këshilli Gjyqësor gjobiti gjyqtarin e apelit Enver Bexheti, duke i shkurtuar gjashtë muaj nga 20 përqind të pagës pasi anëtarët zbuluan se ai ka mbajtur për nëntë muaj në sirtar dosjen për përgjimet, Target-Fortesa, tashmë të vjetëruar sipas ndryshimeve në Kodin Penal. Edhe pse kjo është vendosur, megjithatë, vendimi nuk është ende në fuqi. Publiku nuk ia njeh as fytyrën këtij gjyqtari.

“Pas një kërkese për gjyqtar të Gjykatës së Apelit, ndaj tij është shqiptuar masë disiplinore, ulje rroge në masën 20% të pagës mujore të një gjyqtari për një periudhë 6 mujore”, thuhet në vendimin e Këshilli Gjyqësor. Ky këshill nuk arriti ta shkarkojë atë sepse nuk kishte vota të mjaftueshme nga anëtarët e këshillit.