Rebelët në Siri e morrën nën kontroll Damaskun, presidenti Asad largohet nga shteti

Herët në mëngjes, qeveria siriane ra pasi rebelët, me shpejtësinë e rrufesë, morën nën kontroll kryeqytetin Damask. Në rrugë dolën turma njerëzish për të festuar fundin e sundimit 50-vjeçar të familjes Asad.

Televizioni shtetëror sirian publikoi një deklaratë me video nga një grup burrash, ku thuhej se presidenti Bashar al-Asad ishte rrëzuar dhe të gjithë të burgosurit nga burgjet ishin liruar.

Personi që lexoi deklaratën tha se grupi opozitar i njohur si “Dhoma Operative për Marrjen e Damaskut” i bëri thirrje të gjithë luftëtarëve opozitarë dhe qytetarëve të ruanin institucionet shtetërore të “shtetit të lirë sirian”.

Asad u largua nga vendi me avion drejt një vendndodhjeje të panjohur, duke ikur para rebelëve që thanë se kishin hyrë në Damask pas përparimit të jashtëzakonshëm të shpejtë nëpër vend.

Shumë nga banorët e kryeqytetit nuk mund ta besojnë shpejtësinë me të cilën Asad humbi kontrollin mbi vendin pas gati 14 vitesh luftë civile.

Konflikti në Siri ishte në një masë të madhe i ngrirë që nga arritja e armëpushimit në vitin 2020, ndërsa forcat opozitare mbajtën kontrollin në provincën veriperëndimore të Idlibit. Qyteti Idlib ndodhet vetëm 55 kilometra larg Aleppos, i cili deri në vitin 2016 ishte një bastion i rebelëve.

Ofensiva aktuale drejtohet nga grupi militant islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS) dhe fraksione aleate të mbështetura nga Turqia. HTS u themelua si Jabhat al-Nusra në vitin 2011 dhe kishte lidhje të drejtpërdrejta me Al-Kaedën, nga e cila u shkëput publikisht në vitin 2016. Ky grup konsiderohet si më efektivi dhe më vdekjeprurësi në luftën kundër Asadit.