Pas pothuajse 18 vite që nga fillimi i ndërtimit, metroja në Selanik është funksional që nga sot. Metroja u vu në përdorim pasi kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, në prani të presidentes Katerina Sakellaropoulou dhe ministrave përgjegjës, shtypi simbolikisht butonin që nisi trenin e parë të metrosë, raportoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Më herët, u mbajt një ceremoni solemne me pjesëmarrjen e drejtuesve më të lartë shtetërorë, ndërsa para disa stacioneve të metrosë u grumbulluan qytetarë që, pavarësisht shiut, prisnin hapjen e stacioneve për të parë metronë dhe për të bërë udhëtimin e tyre të parë.
Linja kryesore e metrosë në Selanik ka një gjatësi prej 9.6 kilometrash me dy tunele të pavarura njëkahëshe. Ajo përmban 13 stacione moderne dhe operohet nga 18 metro të avancuara automatike pa shofer, por me një shoqërues. Kapaciteti maksimal është 18,000 pasagjerë në orë në një drejtim.
Vlerësohet se qarkullimi i përditshëm i pasagjerëve do të arrijë rreth 240,000 persona, ndërsa në rrugët e Selanikut do të ketë 57,000 automjete më pak çdo ditë.
Me metronë, udhëtimi nga njëri skaj i qytetit në tjetrin do të zgjasë vetëm 17 minuta. Çmimi i biletës është 60 cent dhe ajo do të jetë e vlefshme për 70 minuta.
Përveç kësaj, në stacione do të përfshihen edhe zbulimet arkeologjike që u gjetën gjatë ndërtimit. Në stacionin “Venizelos”, mbi një sipërfaqe prej 1,260 metrash katrorë, është zbuluar një nga vendet arkeologjike më të mëdha që është përfshirë në një projekt të madh teknik, siç njoftoi qeveria greke.
Gjatë ceremonisë solemne të hapjes, përveç të tjerëve, folën dhe komisioneri i ri evropian për transport dhe turizëm, si dhe kryeministri grek. Mitsotakis njoftoi se në nëntor të vitit të ardhshëm do të përfundojë zgjatimi i metrosë deri në Kalamaria, duke shtuar 4.8 kilometra hekurudhë dhe pesë stacione të reja në rrjetin e metrosë. Ai theksoi se metroja e Selanikut është “metroja më moderne në Europë”.
“Ky është një projekt i prekshëm, për të cilin jam i sigurt se shumë njerëz në qytet deri në momentin e fundit nuk besonin se do të ndodhte. Dhe ja, megjithatë ndodhi. Me fjalë të tjera, ne thamë se do ta bëjmë dhe e bëtë. Dhe është një simbol i përparimit të Maqedonisë dhe të gjithë Greqisë,” theksoi Mitsotakis.
Pas ceremonisë solemne të hapjes dhe vënies në përdorim, Sakellaropoulou, Mitsotakis dhe anëtarë të qeverisë greke hynë në metro dhe udhëtuan për disa stacione.