60-vjeçari ka ndërtuar hotel pa leje në Çarshinë e Shkupit- i ngritet aktakuzë


Prokuroria Themelore Publike e Shkupit, pas përfundimit të një procedimi hetimor, ka ngritur aktakuzë kundër një personi për veprën penale – Ndërtim i paligjshëm, sipas nenit 244-a, paragrafi 1 i Kodit Penal.

I akuzuari, 60-vjeçar, gjatë viteve 2018 dhe 2019, në cilësinë e investitorit, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, mbi një objekt ekzistues – dyqan prej 93 m² në pronësinë e tij, realizoi ndërtimin e shtesave, duke përfshirë korridore, shkallë, ashensor, recepsion dhe hapësira të tjera. Gjithashtu, në një parcelë fqinje, kreu ndërtimin e plotë të një objekti – hotel me bodrum, 4 kate dhe nënkulm, pa pasur leje ndërtimi nga ministria përkatëse, si dhe pa një projekt bazë konservues dhe pa miratim konservues nga Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.