Përgënjeshtrimi i djeshëm i Blerim Bexhetit dhe paralajmërimi për padi ndaj gjithë atyre që shpifin për posedim dhe dorëzim të incizimit nga takimi në cilin është diskutuar, siç thonë nga VLEN, për kthimin e ish-kryeministrit Gruevski në vend, atyre nuk u bën përshtypje.
“Mendoj që është një tentativë për t’u ikur përgjigjes reale. Ne në një kumtesë kemi bërë thirrje deri te lideri i partisë, Ali Ahmeti, që të përgjigjet rreth pyetjeve që i kemi parashtruar publikisht, se cilat janë lidhjet e tij me Gruevskin dhe pse ka tentuar me ngulm ta kthejë Gruevskin në Shkup. Mendoj që përgjigjet e tilla, siç i ka dhënë Blerim Bexheti, janë për t’i ikur realitetit dhe nuk ka asgjë konkrete, e as ajo përgjigje nuk është diçka konkrete që i amneston prej tentativës, që kisha thënë, shumë të keqe për ta kthyer Gruevskin në Shkup”, tha Driton Sulejmani nga VLEN.
Deputeti i Frontit Evropian, Blerim Bexheti, dje përmes një postimi në FB ka kundërshtuar pretendimet e Koalicionit VLEN se eksponentë të lartë të BDI-së kanë pasur një plan për rikthimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski nga Hungaria në Maqedoni. Për të njëjtën thotë se do të padisë për shpifje Koalicionin VLEN, por edhe mediat që kanë transmetuar lajme të pa verifikuara.
“Kjo është një tentativë e vasalëve të VLEN-it, në këtë rast të gjitha aludimet më çojnë tek krye-hyzmeqari Izet Mexhiti, që është në shërbim të VMRO-DPMNE-së. Mendoj që është një shpifje ndaj personalitetit tim në mungesë të argumenteve politike. Si duket, Izeti, ashtu siç e ka filluar me takime të fshehta, që ndoshta në periudhën e ardhshme do të flasim, edhe ashtu tenton ta vazhdojë, por nuk i ndihmon aspak. Këtë lajm të pavërtetuar dhe shpifës do t’ju duhet ta dëshmoni në gjykatë, të cilin nuk do ta dëshmoni dot sepse është një gënjeshtër dhe shpifje famëkeqe!”, kishte shkruar Bexheti.
Ndërkaq, nga Koalicioni VLEN nuk komentojnë informatat e publikuara në javoren Fokus se në takimin për të cilin ata flasin gjatë gjithë kësaj jave ka marrë pjesë edhe ambasadorja amerikane, Anxhella Ageler.
“Nuk kemi informatë për përfaqësues të huaj, kemi informacion dhe ajo që na intereson ne është se pse politikanët tanë, të cilët populli ka besuar për më shumë se 20 vite, janë grumbulluar në një tavolinë dhe kanë biseduar për mundësinë për rikthimin e Nikolla Gruevskit. Vallë populli shqiptar i ka votuar për ta rikthyer Gruevskin, apo i ka votuar për t’i hequr të gjitha politikat e këqija që na i ka shkaktuar Nikolla Gruevski?”, tha Sulejmani nga VLEN.
Pres Konferencat e VLEN në këtë temë pasuan dy ditë pasi javorja FOKUS publikoi në ballinën e saj tekst për gjashtë takimin e realizuar në kabinetin e ish-presidentit Stevo Pendarovski, në të cilin janë diskutuar mundësitë për kthimin e Nikolla Gruevskit nga Budimpeshta në Shkup.