Ahmeti: Prej një çerek shekulli them, nëse humb në zgjedhje, do të tërhiqem nga politika


Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, nga takimi i sotëm me qytetarët në Kumanovë theksoi se, nëse humb në zgjedhje, do të tërhiqet nga politika.

Kjo deklaratë e Ahmetit vjen disa ditë pasi koalicioni “Vlen” i sugjeroi që, nëse me të vërtetë dëshiron zgjedhje të parakohshme parlamentare, të japë një garanci me shkrim që, në rast humbjeje, do të largohet nga politika.

“Duhet të dalim publikisht dhe t’u themi hapur, sepse këta nuk kuptojnë. Ne nuk jemi të interesuar të hyjmë në qeveri, por sa më shpejt që të largohen nga qeveria, aq më mirë është për ta, për familjet e tyre, sepse kjo është një faqe e zezë për shqiptarët. E dëgjova, kërkojnë të nënshkruaj te noteri që, nëse humb zgjedhjet edhe me një votë, nuk do të jem pjesë e pushtetit. Një çerek shekulli e kam thënë, nëse humb zgjedhjet, kthehem në shtëpi,” tha Ahmeti.