Dy të vrarë dhe dy të plagosur. Ky është bilanci i ngjarjes së rëndë që raportohet nga kryeqendra e veriut pasditen e kësaj të mërkure. Forca të shumta policie dhe disa autoambulanca janë në lagjen e Dobraçit në Shkodër.
Dyshimet e para janë se kemi të bëjmë me një atentat të mirëfilltë me armë zjarri, i cili i ka marrë jetën dy personave, kurse dy të tjerë janë në gjendje kritike në spitalin e qytetit, me mjekët që po bëjnë të pamundurën t’i mbajnë në jetë.
Një mjet tip Mercedes Benz ndodhet jashtë rruge, i bërë shoshë nga breshëria e plumbave që është derdhur mbi të, ndërsa në rrugë janë trupat e personave të pajetë të cilët janë mbuluar me çarçaf të bardhë.
E gjithë zona e Dobraçit është rrethuar nga forca të shumta policie dhe gjithë zona ëhstë rrethuar me shirita skenë krimi.
Pamje nga vendi i ngjarjes ne Dobraç
Makina që ndodhet jashtë rruge, dukshëm pasi ka humbur kontrollin nga breshëria e plumbave, është me targa të huaja. Xhami i pasëm dhe ata të dyerve anësore janë komplet thyer.
Dëshmitarët e parë nga vendngjarja në zonën e “SMT-së” ose e njohur ndryshe dhe si “5 Heronjtë e Vigut”, janë shprehur se kanë qenë dy makina të tjera të cilat sapo kanë qenë paralel me këtë mjet Mercedes Benz S Class, kanë nisur të qëllojnë me breshëri.