Coca-Cola njoftoi të enjten tërheqjen e saj më të madhe në Austri për të paktën 25 vjet si një “masë paraprake” mes frikës se pijet mund të përmbajnë copa metalike.
Prodhuesi i pijeve tha se tërheqja zbatohej për pijet Coke, Fanta, Sprite dhe MezzoMix midis 4 shkurtit 2025 dhe 12 prillit 2025, shkruan DW.
Çfarë shkoi keq?
Kompania tha se nuk mund të përjashtonte mundësinë që një “numër shumë i kufizuar” i shisheve gjysmë litri mund të përmbajnë “copa të vogla metali për shkak të një gabimi teknik në prodhim”.
“Ne këshillojmë kundër konsumimit të produkteve potencialisht të prekura për shkak të një rreziku të mundshëm shëndetësor”, thuhet në një deklaratë.
Coca-Cola tha se e kishte ndërmarrë veprimin “si një masë paraprake në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet austriake” dhe se kjo vlen vetëm për shishet gjysmë litri.
“Të gjitha madhësitë dhe paketimet e tjera ose markat e tjera nuk preken nga kjo tërheqje.”
“Konsumatorët mund ta kthejnë një produkt të tillë në pikat austriake të shitjes me pakicë të ushqimit për një rimbursim të çmimit të blerjes, edhe pa paraqitur faturën”.
“Na vjen keq për incidentin dhe i kërkojmë falje konsumatorëve për çdo shqetësim të shkaktuar”, u tha në reagim.
Kontrollet e tregut janë planifikuar
Kompania shtoi se jo të gjitha shishet e periudhës në fjalë ishin shitur dhe se shumë shishe mund të ishin ende në ambientet e kompanisë ose në magazinat e shitjes me pakicë.
Zëdhënësi i Autoritetit të Tregut të Vjenës, Alexander Hengl tha se agjencia e tij dhe 80 inspektorët e saj tashmë po monitoronin nëse shitësit me pakicë po i hiqnin shishet nga raftet e tyre. Ai tha se priste që tërheqja të përfundonte brenda disa javësh.