Në vend të ushqimit, kanë blerë detergjentë, pastë dhëmbësh… dhe më pas janë pushuar nga puna: Gjigandi Meta ka larguar nga puna për keqpërdorimin e bonusit për ushqime


Meta ka pushuar nga puna rreth njëzetë punonjës në Los Anxhelos sepse kishin përdorur bonusin e tyre prej 25 dollarësh për ushqim për të blerë artikuj shtëpiakë, duke përfshirë ilaçe për akne, gota vere dhe detergjent për larje. Pushimet nga puna ndodhën javën e kaluar, vetëm disa ditë pasi kompania filloi me ristrukturimin e ekipeve në WhatsApp, Instagram dhe Reality Lab, departamenti për realitetin e shtuar dhe virtual. Ky proces përfshin shkurtimin e vendeve të punës dhe zhvendosje, kanë konfirmuar disa persona të njohur me vendimet, duke treguar se përpjekjet e fundit të Zuckerbergut për rritjen e efikasitetit janë ende në vazhdim. Ashtu si shumë kompani teknologjike, Meta u ofron punonjësve të saj ushqim falas si përfitim në selinë e saj të madhe në Silicon Valley. Punonjësit në zyrat më të vogla pa mensë kanë mundësinë të përdorin bonusin për porosi ushqimi. Ata lejohen të marrin kompensime prej 20 dollarësh për mëngjes, 25 dollarësh për drekë dhe 25 dollarësh për darkë.

Thuhet se ata që u pushuan nga puna e kishin keqpërdorur shtesën për ushqim për një periudhë të gjatë kohe, tha një burim për Financial Times. Disa kishin kursyer paratë e tyre, ndërsa të tjerët i kishin dërguar vaktet në shtëpi, edhe pse paratë ishin të destinuara vetëm për përdorim në zyrë. Ata që e kishin shkelur rregullin e kompanisë vetëm një herë, kishin marrë një paralajmërim. Në një postim në një platformë anonime, një ish-punonjës i Meta-s shkroi se kishte përdorur bonusin prej 25 dollarësh për produkte si pastë dhëmbësh dhe çaj nga farmacia, duke shtuar se kishte ditë kur nuk hante në zyrë për shkak të drekeve familjare ose darkave me miqtë, dhe nuk dëshironte ta shpenzonte bonusin. Personi, i cili tha se kishte një pagë prej rreth 400,000 dollarësh në Meta dhe punonte natën dhe fundjavave, gjithashtu deklaroi se kishte pranuar kur HR kishte hetuar këtë praktikë, përpara se të pushohej papritmas nga puna.
Meta, shtojnë mediat, refuzoi të komentojë për pushimet nga puna. Megjithatë, kompania njoftoi një valë më të gjerë pushimesh. ‘Disa ekipe në Meta po bëjnë ndryshime për të siguruar që burimet janë në përputhje me qëllimet e tyre afatgjata strategjike. Kjo përfshin zhvendosjen e disa punonjësve në vende të tjera ose në pozita të ndryshme. Në këto raste kur mbyllim një pozicion, punojmë fort për të krijuar mundësi të tjera për punonjësit e prekur,’ deklaruan ata. Zuckerberg bëri të ditur se kishte rreth 21,000 pushime nga puna në dy raunde gjatë viteve 2022 dhe 2023, duke e quajtur atë vitin e efikasitetit.