“E ka nxjerrë nga taksia duke e kapur për flokë, e ka goditur me kokë dhe i ka çarë harkun e majtë të syrit”, Prokuroria ka nisur procedurë kundër një shkupjani


Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka nisur procedurë kundër një 32-vjeçari nga Shkupi, për shkak të dyshimeve të bazuara për vepër penale – Lëndim i rëndë trupor sipas nenit 131 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

I dyshuari, më 14 tetor, me qëllim, gjatë ushtrimit të dhunës familjare, e ka lënduar rëndë partneren e tij jashtëmartesore. Të dy po ktheheshin në shtëpinë e tyre me një taksi, kur midis tyre ka shpërthyer një grindje verbale. Në momentin kur arritën pranë shtëpisë, i dyshuari e kapi viktimën për flokë, e nxori nga taksia dhe e goditi me kokë në ballë, duke i çarë harkun e majtë të syrit. Më pas vazhdoi ta godasë në hundë, nofull, bark dhe shpinë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore – kontuzione, fraktura dhe mavijosje.

Sipas vlerësimit të prokurorit publik, në këtë rast penal janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit – për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë që i dyshuari të përsërisë dhunën familjare ndaj viktimës. Për këto arsye, prokuroria ka paraqitur një propozim për caktimin e paraburgimit tek gjykatësi i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup.