Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë, Njësia për Krime Financiare, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, ka paraqitur kallëzim penal kundër F.E. nga Shkupi, për shkak të dyshimeve të bazuara për vepër penale “mashtrim në punën me letrat me vlerë dhe aksione” sipas nenit 275, paragrafi 3 të Kodit Penal.
I dyshuari, në cilësinë e anëtarit të Bordit Mbikëqyrës të një banke në Shkup, ka keqpërdorur informacionin e brendshëm lidhur me shumën e dividendës për vitin 2023, të cilën e ka mësuar gjatë vitit 2024 si anëtar i këtij bordi. Duke përdorur këtë informacion të ndjeshëm për çmimin, ai ka blerë 500 aksione të zakonshme me një çmim mesatar prej 16.400 denarë për aksion, ose në total ka paguar 8.200.000 denarë për këto aksione.
I dyshuari ka transmetuar informacionet sensitive edhe te palët e treta, konkretisht te anëtarët e familjes së tij të ngushtë, të cilët kanë shfrytëzuar informacionin duke blerë 701 letra me vlerë (aksione) të bankës me një çmim më të ulët se ai që aksionet kanë arritur më vonë. Për këto aksione është paguar një shumë totale prej 11.520.967 denarë, duke u mundësuar të përfitojnë një fitim prej 639.000 denarë nga ndryshimi i çmimit të aksioneve, si dhe gjithsej 646.100 denarë nga dividenta. Me këtë, F.E. ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme pasuri për vete dhe për anëtarët e familjes së tij, duke kryer kështu veprën penale “Mashtrim gjatë punës me letrat me vlerë dhe aksione” sipas nenit 275, paragrafi 3 të Kodit Penal.