Joseph mesazh Serbisë: Jeni me fat që e keni fqinj Albin Kurtin dhe jo liderin e Hamasit


Profesori amerikan, Edward Joseph, tha se Ballkani Perëndimor është aktualisht një rajon i paqëndrueshëm, por se problemet, përfshirë Kosovën, nuk janë “afërsisht” aq të vështira dhe të pazgjidhshme sa në Lindjen e Mesme.

Joseph, duke folur në forumin “Zgjedhjet Presidenciale Amerikane 2024 – Me rëndësi vendimtare për hemisferën perëndimore dhe Serbinë”, që u organizua në Beograd, tha se serbët duhet të jenë të lumtur që e kanë fqinj Albin Kurti dhe jo liderin e Hamasit, Yahya Sinwar.

“Duhet të jeni të lumtur që fqinji juaj është (Kryeministri i Kosovës Albin) Kurtin dhe jo Yahya Sinwar dhe të çmendurit e tjerë atje”, tha Joseph në një lidhje online në forumin që u organizua në Beograd, transmeton Telegrafi.

Siç raporton “Danas“, ai theksoi se administrata e presidentit amerikan Joseph Biden humbi mundësinë për të rritur ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor pas pushtimit rus të Ukrainës.

“Nëse kandidatja demokrate Kamala Harris fiton zgjedhjet e ardhshme, Ballkani edhe më tej nuk do të jetë në krye të agjendës së saj për shkak të situatës së komplikuar në botë, por që administrata mund të ndryshojë qasjen e saj”, tha Joseph.

Profesori universitar theksoi se pas Banjskës, askush në Departamentin e Shtetit nuk ka iluzion se presidenti serb Aleksandar Vuçiq është aleati i tyre dhe se ata kanë mirëkuptim për njëri-tjetrin vetëm për shkak të municioneve për Ukrainën dhe litiumin.