Erdogan: Netanyahu do të ndalet ashtu si Hitleri

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka premtuar se Izraeli do të paguajë çmimin për veprimet e tij në Gaza. Ai tha se “nuk duhet të harrojmë se së shpejti Izraeli do të paguajë për këtë gjenocid që zgjat një vit dhe vazhdon.” Në një postim në X (ish Twitter), ai e krahasoi situatën me ndalimin e Adolf Hitlerit nga aleatët, duke theksuar se Netanyahu dhe rrjeti i tij i vrasjeve do të ndalohen në mënyrë të ngjashme.

Erdogan ka qenë një kritik i ashpër i operacioneve të Izraelit në Gaza dhe ka kërkuar që Izraeli të ndëshkohet në gjykatat ndërkombëtare. Ai i kritikoi vendet perëndimore për mbështetje ndaj Izraelit dhe theksoi se masakrat e ndodhura në vitin e kaluar para syve të botës përfaqësojnë një goditje ndaj të gjithë njerëzimit. Erdoğan shprehu ngushëllime për ata që kanë humbur të dashurit e tyre nga dhuna izraelite dhe kërkoi fundin e politikave gjenocidale, okupacionit dhe invazionit të Izraelit.