Në arrati prej 2 muajsh, Antonela Berisha dhe e motra strehohen në Dubai! Si u larguan nga vendi bashkë me djalin e mitur


Antonela dhe Mariela Berisha, vijojnë të mbeten në arrati këtu e 2 muaj që nga sulmi brutal që i bënë influenceres Klea Prenga në një lokal të kryeqytetit, të cilën e goditën me shishe qelqi në fytyrë. Që prej fillimit të gushtit, nuk dihet asgjë për fatin e dy motrave, duke u bërë dy nga emrat më të kërkuar nga policia.

Teksa konflikti, këtë herë virtual, vijon mes palëve, duket se dy motrat janë arratisur në drejtim të Dubait. Në TikTok, persona të afërt me Antonelën dhe Marielën kanë bërë me dije, se pas ngjarjes në një nga lokalet e Tiranës, motrat janë larguar menjëherë, duke marrë me vete edhe djalin e vogël të Marielës. Në fakt, të shpeshta kanë qenë rastet kur në rrjet është përfolur se të dyja motrat janë larguar menjëherë nga vendi dhe tashmë janë strehuar në Dubai.

Një gjë të tillë e konfirmojnë edhe miqtë e afërt të dy motrave, duke bërë me dije se ndonëse në arrati, të dyja vazhdojnë të mbajnë kontakt me miqtë dhe bashkëpunëtorët në Shqipëri. Që nga fillimi i gushtit, ku Antonela dhe e motra u shpallën në kërkim, policia nuk ka reaguar në lidhje me ecurinë e hetimeve apo rreth vendndodhjes së tyre.

Por përtej kësaj, një përplasje në rrjete sociale ka nisur midis 24-vjeçares dhe nënës së motrave Berisha, ditët e fundit. Klea Prenga, ka publikuar një koment të Donika Marashit, i bërë më 8 gusht, kur dhe ka denoncuar publikisht sulmin brutal të ish-konkurrentes së “Përputhen” dhe motrës së saj ndaj 24- vjeçares.

Klea Prenga në atë postim pretendoi se nuk i njihte motrat Berisha, ndërsa nëna e tyre i komentoi: “Sa mirë po e njihke moj zogu, i njeh mirë se ke qenë edhe ti me motrën tënde në Dubai… po t’u them ju unë, jeni … të shtrenjta 500 euro nata”, por ky koment sipas 24-vjeçares është fshirë pas pak minutash.

Reagimi i Klea Prengës vjen pas një postimi në InstaStory të nënës së ish-banores së “Big Brother Vip” dhe ish-konkurrentes së Për’Puthen, e cila shkroi: “Distancohemi publikisht nga çdo adresë që është hapur për të denigruar, gjithashtu, dhe palën tjetër: Personi që po mundohet të përfitojë nga situata do ndiqet penalisht nga shteti italian. Faleminderit”.

Por, Klea Prenga e akuzon se ka hapur dhjetëra profile të rreme në TikTok duke postuar komente fyese dhe denigruese ndaj saj. Ajo shton se nga këto profile të rreme janë postuar edhe imazheve të familjarve të saj.

“Marr shkak të bëj këtë postim pasi mamaja e dy personave që kryen sulmin brutal ndaj meje ka vendosur të postojë në Instagram story një deklaratë ku përmend faktin që distancohet publikisht nga çdo adresë që është hapur për të denigruat palën tjetër që jam unë. Kjo e njëjta person, në momentin kur unë publikova fotot e plagëve pas sulmit, ishte një ndër komentueset e para, koment të cilin e fshiu brenda 5 minutash. Ajo përdori një gjuhë të degjeneruar dhe të pahijshme kundër meje dhe motrës time, duke vërtetuar se fjalët dhe veprimet e saj janë krejt të ndryshme nga ajo që pretendon publikisht. Po i rikujtoj zonjës komentin e saj dhe fjalorin e përdorur me foton më poshtë. Prej disa javësh, jam përballur me dhjetëra profile të rreme në Tik Tok të hapura nga i njëjti person, të cilat postojnë komente fyese dhe denigruese ndaj meje në mënyrën më të ulët të mundshme.

Për më tepër, janë postuar edhe foto të familjarëve të mi. Unë qëndroj gjithmonë e hapur dhe e sinqertë përballë publikut, pa u fshehur pas identiteteve të rreme. Ndryshe nga disa njerëz, unë nuk përdor fjalë të ulëta apo komente fyese për t’u mbrojtur apo për të sulmuar dikë tjetër. E vërteta ime është publike dhe e qartë për këdo që ka parë dhe do të shohë faktet. Drejtësia dhe e vërteta gjithmonë dalin në dritë, pavarësisht se sa kohë mund të marrë”, shkruan 24-vjeçarja.

Pas ngjarjes, Panorama raportoi se para disa muajsh motra e Antonelës është ndarë nga partneri me të cilin ka edhe një djalë. Mariela duket se nuk e ka pranuar këtë ndarje dhe prej disa kohësh vijon të kontaktojë me vajza, për të cilat dyshon se partneri e ka tradhtuar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Klean, e cila është dhunuar pikërisht se dy motrat dyshonin se ishte shkaku i ndarjes së Marielës nga partneri i saj.

Djali në fjalë është një emër i njohur në qarqet e biznesit në Tiranës, si dhe të shumta i ka pasur historitë e dashurisë edhe me vajzat e famshme. Por prej më shumë sesa një viti dukej sikur kishte krijuar familje dhe ishte larguar nga fama e djaloshit që merrej me vajza të njohura. Të paktën deri para pak muajsh, ku dhe raporti i tij me motrën e ish-banores së “Big Brother” ka përfunduar. Kjo e fundit, të shumta i ka pasur skenat edhe në ambiente të tjera, duke mos pranuar kështu ndarjen nga partneri.