Izraeli mbrëmë kreu 11 sulme mbi Bejrut – në shënjestër ishte pasardhësi i liderit të vrarë të Hezbollahut


Ushtria izraelite gjatë natës kreu 11 sulme në periferi të jugut Dahiya në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, një zonë që konsiderohet si bastion i Hezbollahut, raporton BBC.

Sipas videove të publikuara në rrjetet sociale, sulmet kanë zgjatur gjithë natën deri në agim. Kjo konsiderohet si një nga sulmet më të forta që nga 23 shtatori, pasi Izraeli intensifikoi sulmet kundër Libanit.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën 37 persona dhe 151 janë plagosur.

Objektivi i sulmeve në periferi të Dahiyah ishte Hashem Safiuddin, i cili konsiderohet si pasardhësi i mundshëm i liderit të vrarë të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.

Sipas “New York Times”, është sulmuar edhe një bunker nëntokësor ku besohet se Safiuddin po mbante një takim me përfaqësues të tjerë të lartë të grupit militant libanez.

Ushtria libaneze njoftoi se dy nga ushtarët e saj u vranë në jug të vendit ndërsa forcat izraelite vazhduan ofensivën kundër Hezbollahut dhe urdhëruan evakuimin e 20 qyteteve dhe fshatrave të tjera.

Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën në një sulm izraelit mbi një ndërtesë në qendër të Bejrutit.

Kryqi i Kuq njoftoi se katër nga vullnetarët e tij janë plagosur lehtë, megjithëse lëvizja e tyre ishte koordinuar me forcat paqeruajtëse të OKB-së.