U bë nëna surrogate, gjyshja 55-vjeçare sjell në jetë nipin e saj


Momente emocionale për një familje në Heraklio, ku një gjyshe 55-vjeçare u bë nënë surrogate për hir të vajzës së saj dhe solli në jetë një djalë të shëndetshëm.

Ky është një nga rastet e rralla si në Greqi ashtu edhe në mbarë botën. Ngjarja është bërë e ditur nga mjeku gjinekolog, Alexandros Zervakis, me anë të një postimi në rrjetet sociale.

Gjyshja jeton në Kretë, ndërsa vajza në Athinë. Çifti kishte qenë te disa mjekë dhe kishin disa përpjekje të dështuara në të kaluarën për të patur mundësi për të sjellë në jetë një fëmijë.

Kështu çifti zgjodhi që nëna e nuses, të bëhej “nëna surrogate”, për të sjellë në jetë foshnjën e tyre.

“Më takuan të zhgënjyer dhe në mëdyshje. Ne përpiluam një plan pasi gjyshja zëvendësuese kishte nevojë për disa ndërhyrje korrigjuese që të mund të mbetej shtatzënë. Kemi hasur disa vështirësi si hipertensioni para-ekzistues, mosha dhe korniza të rrepta ligjore. Përgatitja zgjati dy vjet me operacione, ekzaminime dhe komisione për miratime nga Autoriteti Kombëtar i Sterilitetit” , përshkroi Alexandros Zervakis.

Përpjekja e parë për transferimin e embrionit, siç raporton mjeku i njohur obstetër, dështoi. “Ishte shumë e vështirë por në fund ia dolëm të ngjiznim beben”, shpjegon Zervakis.

“Transferimi i dytë i embrionit ishte i suksesshëm. Shtatzënia ishte me rrezikshmëri të lartë, por vullneti ishte më i lartë dhe durimi i përjetshëm. Ajo ndoqi saktësisht atë që thamë dhe më në fund shkuam për të lindur. Lindi një djalë 3500 gramësh”.