Prokuroria Themelore Publike Ohër ka dorëzuar aktakuzë kundër dy personave për veprën penale ndërtim pa leje. Njëri prej personave është biznesmeni kontrovers i Ohrit Nefi Useini, transmeton Portalb.mk.
“Të dyshuarit e moshës 49 dhe 48 vjeç, si bashkë-kryerës, më 27 korrik 2023, kanë filluar të ndërtojnë një objekt në tokën e tyre, pa leje ndërtimi të lëshuar nga organi kompetent. Në objektin ekzistues në qendër të Ohrit ndërtuan shtesa në anën veriore, në bodrum, përdhes dhe në katin e parë, duke i zgjeruar me pllaka dhe shtylla betoni, pas së cilës vazhduan ndërtimin e objektit me dy pllaka betoni të përforcuar, të cilat e rritën lartësinë e tij”, thonë nga Prokuroria.
Kundër Useini ka proces gjyqësor për një tjetër objekt pa leje në qendër të Ohrit.
Useini ishte këshilltar i BDI-së në Këshillin e Komunës së Ohrit, por vitin e kaluar ai u largua nga posti, siç tha ai, “për arsye personale”.
Emri i tij prej vitesh është në sy të publikut përmes një sërë skandalesh. Gjithçka nisi me ndërtimin e picerisë që udhëhiqet si ndërtim pa leje, më pas sherri me një tjetër këshilltar dhe profesor, ndërtimi i bazës së betonit në breg të liqenit. Për asnjë nga këto raste nuk ka zgjidhje.