Kolegë të shumtë gazetarë kanë reaguar menjëherë pas sulmit ndaj gazetares Klodiana Lala, ku pas mesnate u qëllua me breshëri plumbash banesa e babait të saj.
Ndër ta është edhe gazetari italian që prej disa vitesh punon në Shqipëri, Karlo Bolino.
Duket se kjo ngjarje e rëndë Bolinos i ka rikthyer kujtimet e pakëndshme kur punonte si gazetar në Itali, dhe merrte kërcënime, ndër to siç rrëfen ai “një zarf që ka brenda një fishek kalibër 9 mm, që ka të shkruar sipër “for you”.
Bolino tregon se si ka arritur ta kthejë frikën në forcë duke mos e braktisur profesionin.
“Edhe unë kam patur frikë, si shumë gazetarë, të cilët kanë shkruar dhe vazhdojnë të shkruajnë kundër kriminalitetit e kështu që e imagjinoj shumë qartë gjendjen shpirtërore që po përjeton sot Klodiana Lala, e cila filloi të punojë pikërisht me mua. Instikti i parë është ai që ta braktisësh, ta ndryshosh sektorin, të merresh me diçka tjetër: ndoshta me udhëtimet, me turizmin apo me modën. Por, më pas, reflekton dhe frika ndeshet me një tjetër ndjenjë, po aq të fuqishme dhe të cilën pikërisht kërcënimet e ushqejnë: krenarinë”.
Më tej në shkrimin e tij në “Shqiptarja.com” ai bën thirrje për më shumë solidaritet me gazetaren Lala, për të mos e lënë atë të vetme. “tani shqiptarët duhet të vendosin: Me të Mirën, apo me të Keqen”, shkruan Bolino.
“Klodiana Lala nuk duhet të lihet e vetme. Asnjë gazetar i kërcënuar apo edhe vetëm i fyer nuk duhet të lihet i vetëm. Pasi një gazetar i vetëm është edhe një gazetar i dobët, që nuk do ta gjejë kurrë forcën t’i rezistojë asnjë lloj kërcënimi e presioni nëse nuk e ndjen veten të mbrojtur nga gjithë Të Mirët që e rrethojnë. Kjo është një Luftë mes Të Mirës dhe të Keqes dhe të gjithë duhet të vendosin se nga cila anë janë.”