Një incident ka ndodhur në një supermarket në Tiranë, ku një grua ka tentuar të rrëmbejë një fëmijë të mitur. Ngjarja ka ndodhur ditët e fundit, kur gruaja, e cila dyshohet të ketë probleme të shëndetit mendor, ka marrë në krahë një vajzë dyvjeçare, duke tentuar ta nxjerrë jashtë ambientit të marketit.
Incidenti u vu re nga punonjësit e marketit, të cilët ndërhynë në kohë dhe arritën ta ndalonin gruan para se të largohej plotësisht. Sipas raportimeve, fëmija ishte i pashoqëruar për një moment, çka i dha gruas mundësinë të afrohej dhe ta merrte në krahë. Ngjarja u kap nga kamerat e sigurisë të marketit, ndërsa stafi i tij reagoi menjëherë për të parandaluar rrëmbimin e mundshëm.
Babai i fëmijës, shtetasi E. D., 34 vjeç, bëri kallëzim në polici menjëherë pas incidentit. Ai tregoi se gruaja e panjohur e kishte marrë vajzën e tij nga zona e kasave dhe kishte dalë nga dera e supermarketit, por më pas ishte rikthyer përsëri brenda. Policia e Tiranës ka nisur hetimet për identifikimin dhe ndalimin e saj.
Sipas burimeve nga Policia, gjatë komunikimit me personelin e marketit dhe në bazë të pamjeve filmike, dyshohet se gruaja mund të ketë probleme të shëndetit mendor. Autoritetet po punojnë për të identifikuar shtetasen e përfshirë dhe për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes. Hetimet janë në vazhdim për të siguruar që një situatë e tillë të mos përsëritet.
Njoftimi i plotë i policisë Tiranë
Në lidhje me një video të publikuar në një portal në të cilën shfaqet një shtetase në ambientet e një marketi, e cila merr në krahë një fëmijë të mitur, del nga marketi dhe më pas kthehet sërish, ju informojmë se:
Më datë 14.09.2024, është paraqitur në Polici shtetasi E. D., 34 vjeç, i cili ka kallëzuar se në Rrugën e Barrikadave, në një market, një shtetase ende e paidentifikuar, ka marrë në krahë vajzën e tij të mitur 2 vjeçe, ka dalë nga dera e marketit dhe më pas është rikthyer sërish.
Shërbimet e Policisë menjëherë kanë shkruar në vendngjarje ku kanë administruar pamjet filmike si dhe kanë pyetur punonjësit e marketit të cilët kanë pohuar se shtetasja në fjalë, gjatë komunikimit ka shfaqur probleme dyshohet të shëndetit mendor.
Vijon puna për identifikimin e saj dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.