Në Madrid sulmohet fizikisht ambasadorja e Serbisë, dyshohet se sulmuesi mund të jetë shqiptar


Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, e dënoi sulmin fizik ndaj ambasadores serbe në Spanjë, Irena Sharac, që ndodhi dje pasdite.

“E dënoj ashpër sulmin fizik ndaj ambasadores Sharac në qendër të Madridit. Kërkojmë nga të gjitha organet kompetente të kryejnë një hetim të plotë për këtë incident të pashembullt”, deklaroi Gjuriq.

Sipas agjencisë së lajmeve “Tanjug”, një burrë i ri e sulmoi dje Sharacin në rrugë, duke i shkaktuar lëndime në shpinë.

“Dëshmitarët okularë deklaruan se sulmuesi fliste gjuhën shqipe. Ai iu afrua Sharacit ndërsa ajo po fliste në telefon, e pyeti nëse ishte nga Serbia dhe më pas e goditi me këmbë në shpinë. Ambasadorja është në gjendje të mirë”, raportoi “Tanjug”.

Disa dëshmitarë tentuan ta kapnin sulmuesin, por ai iku, dhe rasti u raportua në polici.