Në Maqedoninë e Veriut sot filloi viti i ri shkollor 2024/25 për të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme.
Viti akademik do të zgjasë deri më 10 qershor për të gjithë nxënësit, me përjashtim të nxënësve të viteve të fundit të arsimit të mesëm, të cilët do të kenë mësim deri më 16 maj.
Mësimi fillon me praninë fizike, derisa mësimi online do të jetë i disponueshëm vetëm për nxënësit e disa shkollave ku rikonstruksioni ose prokurimi i pajisjeve, si tavolina dhe karrige për nxënësit, nuk ka përfunduar në kohë.
Për herë të parë pas shtatë vitesh, viti shkollor nis me dorëzimin në kohë të teksteve shkollore në të gjitha shkollat fillore në vend. Në ditën e parë të shkollës nxënësit do të marrin tekstet e tyre.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) bën me dije se tashmë ka dorëzuar në shkolla 360 mijë kopje të të gjitha teksteve dhe materialeve mësimore. Në arsimin fillor do të mungojnë tekstet e gjuhëve të huaja nga klasa e parë deri në të nëntën.
Sipas të dhënave të MASH-it, viti i ri shkollor do të fillojë për 245 mijë nxënës në shkollat e mesme dhe fillore, që është për 17 mijë më pak në tetë vitet e fundit.
Numri i filloristëve është ulur për 3 500.
Fajin për këtë ministrja e hodhi tek qeverisja e kaluar dhe politikat e tyre, siç tha të gabuara.
“Kjo është shkatërruese dhe zhgënjyese dhe është rezultat i politikave të këqija, jo vetëm në arsim, por në të gjitha segmentet shoqëror”, u shpreh ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska.