Sot rrugëtimin përgjatë tre dhjetëvjeçarëve e përmblodhëm në tri minuta, ku në sfond dëgjohet himni “Gaudeamus igitur”, për të na rikujtuar të gjithëve se nxënësi – mësuesi janë simbiozë e pandarë dhe se asnjëri nuk mund të frymojë pa tjetrin.
Unë besoj që edukimi dhe arsimimi janë qëllimet më të vlefshme që ka gjetur njerëzimi në kërkimin e tij për ta kuptuar vetveten. Kësisoj na dalin herë si vlera e herë si qëllime. Na dalin si vlera kur përpiqemi të përsosim QENIEN, ndërkaq na dalin si qëllime kur përpiqemi të përsosim BOTËN.
Duke parë jetën nga ky kënd, e kuptova që nxënësi dhe studenti janë QENDRA. Në etimologji qendrat zakonisht përshkruhen si gjallëruese dhe ‘aty ku ka jetë’.
Konstatimi im është se nxënësi dhe studenti janë QENDRA. Pa ato nuk ka kuptim asgjë, kurse shkollat dhe universitetet do të ishin thjesht objekte pa frymë dhe pa jetë.
Gjysmën e parë të karrierës ua kushtova nxënësve, ndërkaq gjysmën e dytë studentëve dhe kuptova që ne bartim shumë përgjegjësi në transmetimin e dijes dhe të shembullit që përfaqësojmë.
Kur punon në arsim, domosdoshmërisht njeriu e ndjek një shteg drejtvizor zbulimi dhe përgjatë viteve e kupton se sa botë ka përbrenda çdo nxënës e student dhe asnjëri nuk përkon me tjetrin.
Shpesh më vjen në mendje Prusti kur thotë: “Ne i japim publikut vetëm fshehtësitë më të brendshme të vetës sonë”.
Në mesin e këtyre mendimeve për brendësinë, qëndron edhe thënia ikonike e Ajnshtajnit, i cili thotë: “Çdokush është gjeni, por nëse do të gjykojë një peshk nga aftësia e tij për t’u ngjitur në pemë, ai do të jetojë gjithë jetën duke menduar se është i paaftë”.
Andaj është detyrë dhe njëherësh përgjegjësi jona që të zgjojmë GJENIUN te çdo nxënës e student, sepse çdokush ka shkëndija gjenialiteti brenda vetes.
Sot i kujtojmë me nderim edhe të gjithë profesorët e studentët, heronjtë e dëshmorët, ata që protestuan në kohëra të rënda dhe me guxim sfiduan regjime.
Sot gjithashtu kujtojmë me nderim dhe respekt të thellë babain e Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Fadil Sulejmanin dhe dëshmorin e arsimit shqip Abdylselam Eminin, stoicizmi i të cilëve rezultoi me hapjen e tempullit të dritës dhe të diturisë.
Shembulli i tyre do ta çojë përpara Universitetin, shoqërinë dhe kombin tonë!
“Vivat Academia,
Vivant professores,
Vivat membrum quodlibet,
Vivant membra quaelibet,
Semper sint in flore!”
Prof. Dr. Vullnet Ameti