Shqipëria lidh bashkëpunim me TikTok-un, fshin përmbajtje të dhunshme e mbyll llogari


Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) në Shqipëri ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me platformën TikTok.

Pesë ditë nga fillimi i këtij bashkëpunimi dhe nga hapja e një linku të dedikuar në faqen zyrtare online të AMA-s, ku publiku mund të raportojë përmbajtjet që i gjykon si të dëmshme, kanë dalë edhe bilancet e para.

Sipas njoftimit të kryetares së AMA-s, Armela Krasniqi, bëhet fjalë për përmbajtjet që përmbajnë dhunë, gjuhë urrejtje, abuzim me fëmijët dhe të komuniteteve apo shkelje të të drejtave themelore.

Siç ka njoftuar sot Krasniqi, në këto 5 ditë kanë mbërritur në AMA 85 ankesa, të cilat pasi janë shqyrtuar nga ekipet ligjore dhe të Këshillit të Ankesave në AMA, 40 prej tyre janë raportuar në platformën TikTok për shkelje të ligjit.

Nga këto, sipas saj, 23 janë hequr nga platforma TikTok dhe 17 janë në proces.

Sipas të dhënave të publikuara nga Kryetarja Krasniqi, videot e fshira përmbanin:

-7 video ekspozimin e fëmijës ndaj pornografisë, narkotikëve, alkoolit, duhanit dhe dhunës;

-U fshinë nga platforma 5 video me përmbajtje që nxitësin dhunë dhe urrejtje, apo video me përmbajtje të veprave penale;

-4 video me akte dhune;

-1 video me urrejtje fetare

-1 video tjetër për gjuhë urrejtje për shkak të orientimit seksual.

TopChannel raporton se ajo që dallon në të dhënat e publikuara nga kryetarja e AMA-s, janë rastet e piraterisë që duket se deri tani kanë qarkulluar me shumicë dhe lirshëm në platformën TikTok.

Për të njëjtën periudhë, pra vetëm për 5 ditë, janë raportuar për pirateri të produktit audioviziv 156 video, ndër të cilat 112 janë fshirë nga platforma ndërsa 20 profile janë mbyllur menjëherë për të njëjtën arsye, pasi janë raportuar videot që ato përmbanin.

“Nuk kishim parashikuar një fluks të tillë raportimesh. Falënderuese ndaj qytetarëve që kanë raportuar duke dëshmuar ndjeshmëri të lartë publike dhe besim tek institucioni. Falënderuese për këtë bashkëpunim me TikTok. Shumë punë kemi përpara”, shkroi Armela Krasniqi.