Themeluesi i Telegramit, Pavel Durov, i cili u arrestua në Paris, është i dyshuar për 12 vepra penale. Kjo është bërë e ditur në njoftimin zyrtar për shtyp të prokurorisë franceze. Konkretisht, Durov është akuzuar për:
– Bashkëpunim në administrimin e një platforme online për kryerjen e transaksioneve të paligjshme nga grupe të organizuara;
– Refuzim për të ofruar informacion ose dokumente të nevojshme për hetim sipas kërkesës së agjencive të zbatimit të ligjit;
– Bashkëpunim në ruajtjen e përmbajtjeve pornografike me të mitur si pjesë e një grupi të organizuar;
– Bashkëpunim në shpërndarjen e përmbajtjeve pornografike me të mitur si pjesë e një grupi të organizuar;
– Bashkëpunim në përvetësimin, transportimin, posedimin dhe shpërndarjen e drogës;
– Bashkëpunim në zhvillimin, shitjen ose sigurimin e qasjes në pajisje, mjete, programe ose të dhëna të destinuara për të marrë akses të paautorizuar (për sulme hakerimi);
– Bashkëpunim në mashtrime të organizuara;
– Bashkëpunim në krijimin e një komuniteti kriminal me qëllim kryerjen e veprave penale për të cilat parashikohet dënim me burgim mbi 5 vjet ose burgim të përjetshëm;
– Pastrim të ardhurave nga veprat penale të kryera nga grupe të organizuara.
Tre akuza të tjera lidhen me, sipas autoriteteve franceze, përdorimin dhe shpërndarjen e mjeteve kriptografike nga Durov pa miratimin e qeverisë.
Hetimi gjyqësor ndaj Durov u hap më 8 korrik pas një kërkese paraprake nga prokuroria, thuhet në njoftimin e Departamentit. Ai po kryhet nga njësitë speciale të policisë franceze për krimet kibernetike dhe financiare.
Durov u arrestua në aeroportin Le Bourget të shtunën në mbrëmje kur zbriti nga një avion privat që mbërriti nga Azerbajxhani. Arrestimi i tij mund të zgjasë deri në 96 orë, pra deri më 28 gusht, thekson prokuroria në njoftimin për shtyp.
Presidenti francez Emmanuel Macron të hënën deklaroi se nuk ka motive politike pas arrestimit të Durov. “Në rrjetet sociale, ashtu si në jetën reale, liria realizohet brenda kornizës së ligjit për të mbrojtur qytetarët dhe për të respektuar të drejtat e tyre themelore,” shkroi Macron në faqen e tij në rrjetet sociale X.