Në kanalin rus të platformës sociale Telegram, i njohur si Baza, ku komunikojnë forcat e sigurisë ruse, është publikuar se punonjësve në administratën presidenciale dhe në qeverinë ruse, si dhe punonjësve në disa agjenci të sigurisë, u është urdhëruar të fshijnë korrespondencën e punës nga Telegrami.
Një urdhër i ngjashëm thuhet se kanë marrë edhe funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë dhe disa biznesmenë të mëdhenj. Urdhëri është i lidhur me arrestimin e themeluesit të Telegramit, Pavel Durov, në Francë.
Më parë, më 25 gusht, kompania njoftoi pas arrestimit të themeluesit të platformës sociale Telegram, Pavel Durov, në Francë, se kjo është në përputhje me ligjet e BE-së dhe se nuk ka shkelur asnjë rregullore.
Durov u ndalua nga policia në aeroportin Le Bourget më 24 gusht në mbrëmje, pas mbërritjes së tij nga Azerbajxhani, për shkak të një hetimi për mungesë bashkëpunimi të Telegramit me organet e ndjekjes lidhur me trafikimin e drogës dhe shkelje të tjera.
“Është absurde të thuhet se platforma ose pronari i saj është përgjegjës për keqpërdorimin e kësaj platforme,” thuhet në njoftimin e kompanisë që menaxhon Telegramin.
Autoritetet gjyqësore franceze i vazhduan masën e paraburgimit për Durov më 25 gusht.