Kompania OpenAI është e shqetësuar se përdoruesit mund të lidhen emocionalisht me asistentin e saj të inteligjencës artificiale, ChatGPT, dhe madje të bëhen të varur nga zëri i saj i ngjashëm me atë të njeriut.
Sipas raportit të kompanisë, përdoruesit mund të krijojnë “lidhje sociale me inteligjencën artificiale dhe kështu të ulin nevojën për marrëdhënie me njerëz të tjerë.”
Kompania shton se kjo situatë mund të jetë e favorshme për njerëzit që ndihen të vetmuar, por gjithashtu mund të ndikojë negativisht në “marrëdhëniet e shëndetshme njerëzore”. Dëgjimi i informacionit nga një bot i inteligjencës artificiale që tingëllon si njeri mund t’i bëjë njerëzit të kenë besim të tepruar tek AI-ja, gjë që është e rrezikshme pasi edhe ajo është e prirur të bëjë gabime.
Disa njerëz tashmë po krijojnë lidhje romantike me chatbot-et e AI-së, gjë që ka shqetësuar ekspertët për marrëdhëniet, shkruan CNN.
Modaliteti i avancuar i zërit i ChatGPT tingëllon jashtëzakonisht realist. Ai reagon në kohë reale, imiton reagimet njerëzore si e qeshura dhe mund të vlerësojë gjendjen emocionale të folësit bazuar në tonin e zërit të tij. Shumë njerëz e krahasojnë këtë mjet të ri të AI-së me asistentin dixhital nga filmi “Her”, në të cilin protagonisti bie në dashuri. Por në atë histori nuk ka një fund të lumtur – në fund, personazhi kryesor mbetet me zemër të thyer pasi mëson se asistenti i inteligjencës artificiale ka “marrëdhënie” edhe me qindra përdorues të tjerë.