67 TË PUNËSUAR KANË MBETUR PA RROGA, SARDIÇ DHE KOPIN ME XHIROLLOGARI TË BLLOKUARA


Të punësuarit në Sardiç MC dhe Kopin, kanë mbetur pa rroga. Xhirollogaritë e këtyre kompanive janë bllokuar më 12 prill dhe me këtë, 67 të punësuar kanë mbetur pa të ardhura mujore. Në  letër të hapur të dërguar deri te zv.kryeministri Angjushev, ata pyesin se deri kur do të mbeten pa paga, dhe paralajmërojnë se do të dalin në rrugë. Në situatë të ngjashme sikur ata, siç thonë, janë edhe 250 të punësuar në firma të tjera të cilat paraqiten si kontraktues.

“Është e qartë se për ne të punësuarit në Sardiç MC dhe Koper Investment nuk ka ardhur asnjëfarë jete, ne që në mënyrë të ndershme e fitojmë rrogën tonë, duhet të mendojmë çfarë të bëjmë tani në situatën që na keni sjellë me vendimet tuaja të cilat jo vetëm që janë të pakuptimta, por dhe nuk janë në interes të prezantimit të Maqedonisë para investitorëve potencial të huaj”, nga Sardiç dhe Kopper Investment.

Zv.kryeministri Angjushev, deri te i cili është adresuar letra e hapur, thotë se ai personalisht nuk e ka marrë këtë letër, por e ka lexuar pasi që e njëjta është publikuar në media. Përgjigjja e tij në lidhje me xhirollogaritë e bllokuara, është se shteti është i obliguar që të mbrohet  në këtë rast, por edhe në gjitha rastet, kur kompanitë me të cilat qeveria nënshkruan kontratë, nuk  i respektojnë afatet e caktuara paraprakisht.

“Duhet të vendoset prodhimtaria e bakrit katod, përkatësisht duhet të ndërtohet pjesa e fabrikës për elektrolizë. Ajo pjesë nuk është ndërtuar, shteti duhet të tregojë kapacitet në pjesën e aktiviteteve të tija, të kujdestë për sundimin e ligjit dhe njëjtë të trajtojë gjitha subjektet ekonomike, në aspekt, nëse  subjektet ekonomike nuk i respektojnë obligimet e tyre atëherë shteti duhet të mbroj obligimet e veta”, tha Angjushev.

Akuzat në relacion Angjushev- Sardiç filluan pas deklaratës së zv. Kryeministrit në emisionin Klik Plus, se investitori ukrainas në vend, punon me mjete financiare të dyshimta. Angjushev pohon se asnjë euro nga Ukraina nuk ka hyrë në Kazandoll, ndërsa në minierën janë investuar 18 milion euro, pa e ditur paraprakisht se kush është përgjegjës dhe pronar i këtyre parave. Nga grupacioni Kopper Investment, përmes një kumtese theksuan se deklarata, për hetimin e filluar  për mënyrën e financimit të projektit për kompleksin e minierave Kazandoll, është shqetësuese./tv21