Një muaj paraburgim për shtetasin e Maqedonisë që u kap me 6 kilogramë heroinë


Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer në bashkëkryerje veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.

Në njoftim thuhet se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ilir Bytyqi ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më datë 21 gusht 2024 në bashkëkryerje pa autorizim kanë transportuar nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, substancë narkotike të dyshuar si heroinë.

“…Në atë mënyrë që me veturën e markës ‘Audi’ të pandehurit U.B. dhe M.Sh., lëndën narkotike të dyshuar si heroinë me peshë të përgjithshme 6.137.06 gram (gjashtë kilogramë e njëqind e tridhjetë e shtatë gram), e kanë transportuar përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit, ndërsa i pandehuri I.M. me veturën e tij të markës ‘Golf’ i kishte pritur në parkingun e një ndërmarrje tregtare në Han të Elezit, së bashku me agjentin e policisë i cili ishte duke realizuar masat e veçanta hetimore shitje dhe blerje e simuluar e artikujve, shërbimeve apo sendeve…

Kështu të pandehurit U.B. dhe M.Sh., e kishin sjell lëndën narkotike me veturën ‘Audi’ afër veturës ‘Golf’, me ç’rast i pandehuri I.M., merr lëndën narkotike nga vetura ‘Audi’ dhe kthehet tek vetura e tij, me qëllim që ta dorëzoj tek Agjenti i policisë si blerës i simuluar, mirëpo intervenojnë Njësitë mbështetëse të Policisë të cilat e arrestojnë të pandehurin I.M. si dhe sekuestrojnë veturën ‘Golf’ dhe lëndën narkotike. Ndërsa, të pandehurit U.B. dhe M.Sh. janë arratisur”, thuhet në njoftim.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.