Arrestohet në Kosovë një shtetas i Maqedonisë së Veriut, iu gjetën mbi gjashtë kilogram heroinë me vlerë prej 150 mijë eurosh


Policia e Kosovës njoftoi se dje ka arrestuar një shtetas të Maqedonisë së Veriut, të cilit iu gjetën mbi gjashtë kilogramë heroinë që ishte e destinuar për shitje, raportoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në njoftimin e sotëm të policisë thuhet se Drejtoria për Hetimin e Trafikut të Drogës në policinë e Prishtinës, në bashkëpunim me institucionet lokale të sigurisë, ‘më 21.08.2024, pas një pune intensive hetimore në terren, mori masa operative dhe identifikoi një person, shtetas të Maqedonisë së Veriut, i cili dyshohet se kishte në posedim, të përgatitur për shitje, një substancë narkotike të llojit heroinë’.

Nga policia thonë se heroinën e të dyshuarit ia kishin sjellë dy persona të tjerë, të cilët më pas u larguan nga vendi i ngjarjes me një automjet.

Vlera e heroinës së konfiskuar është rreth 150.000 euro.

– Pas ndërhyrjes së policisë kosovare, tek i dyshuari janë gjetur gjashtë pako me substancë narkotike të dyshuar, heroinë, me një peshë totale prej 6.137,6 gramësh (gjashtë kilogramë e 137 gramë), dhe vlera e substancës narkotike të dyshuar e konfiskuar është e vlerësuar rreth 150.000 euro, njoftoi policia.

Si prova materiale janë konfiskuar dy telefona, një automjet dhe 4.305 denarë.

I dyshuari është marrë në pyetje në prani të një avokati dhe me vendim të prokurorit shtetëror i është caktuar një masë e paraburgimit prej 48 orësh, ndërsa policia po kërkon për dy personat e tjerë.