Rritje mbi 60 përqind e të sëmurëve nga Covid-19, javën e kaluar janë regjistruar 271 raste të reja


Nga data 12 deri më 18 gusht, në RMV janë regjistruar 271 raste të reja të të prekurve nga Covid-19, që përfaqëson një rritje prej 60,4 përqind në krahasim me javën e kaluar. Janë testuar gjithsej 608 mostra në laboratorët ku kryhet testimi molekular dhe antigjenik për praninë e SARS-CoV-2, me një rritje prej 33,3 përqind.

Gjatë javës në vazhdim, janë regjistruar persona të sëmurë nga Covid-19 në komunat e 17 qyteteve. Pjesa më e madhe e rasteve të regjistruara janë nga Shkupi – 152, Kavadari – 25, Tetova – 23 dhe Ohri – 22, ndërsa incidenca më e lartë është regjistruar në Kavadar, thuhet në raportin e Institutit të Shëndetit Publik të publikuar pasdite.

Janë regjistruar të sëmurë nga të gjitha grupmoshat, me numrin më të madh të rasteve të raportuara në grupmoshën mbi 60 vjeç. Gjatë javës së kaluar, është raportuar një person i vdekur i lidhur me Covid-19. Bëhet fjalë për një person mbi 60 vjeç, me komorbiditete dhe që nuk ishte vaksinuar kundër Covid-19, sqarojnë nga ISHP.

Deri më 18 gusht, janë raportuar gjithsej 351.364 raste të Covid-19, nga të cilat 23.245 janë reinfeksione. Janë regjistruar 167.343 meshkuj dhe 184.021 femra të sëmurë. Numri më i madh i të sëmurëve është mbi 60 vjeç – 90.796, ndërsa morbiditeti më i lartë (26.333,6/100.000) është regjistruar te grupmosha 30-39 vjeç, thuhet në raport.

Komisioni për sëmundje ngjitëse ka dalë me rekomandime për respektimin e masave bazë për parandalimin e Covid-19, ndërsa ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, sot në një konferencë për shtyp ka konfirmuar se ka një rritje të numrit të të prekurve dhe ka bërë thirrje që të respektohen rekomandimet e autoriteteve shëndetësore.

– Ka një rritje të numrit të rasteve të regjistruara me Covid në vend, pati një takim dhe Komisioni për sëmundje ngjitëse ka dhënë përfundimin se si duhet trajtuar – duhet të respektohen rregullat – hapësirat e hapura, të mos ketë shumë njerëz në një vend, të respektohet higjiena. Megjithatë, pacientët që trajtohen në klinika për një sëmundje të caktuar dhe ndërkohë infektohen edhe me Covid, rekomandimet janë që të vazhdojnë të trajtohen në të njëjtën klinikë, dhe infektologu të japë rekomandime për terapi shtesë nëse është e nevojshme. Shumica e pacientëve e kalojnë Covid-in asimptomatikisht ose me simptoma shumë të lehta, tha ministri në konferencën për shtyp ku u promovuan nëntë ilaçe të reja gjenerike që po futen në Listën Pozitive.

Rasti i parë i Covid-19 në vend u regjistrua më 26 shkurt 2020.