Një ngjarje tronditëse është regjistruar më fshatin Lajthizë, ku një 68-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri. Sipas njoftimit të policisë mësohet se shtetasi me ininciale F.R, është qëlluar me armë zjarri nga dritarja e dhomës ku flinte.
Si pasojë e plagëve të marra burri kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Ndërkohë, ka qenë vajza e viktimës ajo e cila e ka gjetur të pajetë të atin në banesën në fshatin Lajthizë ku dhe ai kalonte muajt e verës.
Ajo kishte dy ditë që nuk kishte pasur asnjë komunikim me të atin dhe e shqetësuar shkoi në banesë ku dhe e gjeti të vrarë.
Menjëherë vajza e viktimës lajmëroi Policinë, të cilët mbërritën në vendin e ngjarjes. Efektivët kanë bërë të mundur shoqërimin në Komisarit të disa banorëve të këtij fshati me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarje.
“Më datë 20.08.2024, shtetasja L. R. ka njoftuar Policinë se ka gjetur të pajetë babanë e saj, shtetasin F. R., 68 vjeç, në banesën e familjes në fshatin Lajthizë, njësia administrative Orosh, ku 68-vjeçari kalonte muajt e verës. Prej 2 ditësh ai kishte humbur kontaktet me familjarët.
Menjëherë drejt vendit të ngjarjes janë nisur shërbimet e Policisë vendore dhe grupi i posaçëm hetimor.
Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes dyshohet se 68-vjeçari është qëlluar me armë zjarri, nga dritarja e dhomës ku flinte, dhe si pasojë ka humbur jetën.
Deri në këto momente janë shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme, disa shtetas, banorë të këtij fshati.
Në drejtimin e Prokurorisë, po kryhen hetime intensive për të identifikuar dhe kapur autorin/ët e rastit si dhe për të zbardhur rrethanat”, njofton Policia e Mirditës.