Kearns: E padrejtë ta ndëshkosh Kosovën për hapjen e një ure, duke e injoruar Banjskën


Deputetja britanike Alicia Kearns e ka konsideruar të padrejtë ndëshkimin e Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit dhe injorimin e sulmit të Banjskës në të njëjtën kohë nga Bashkimit Evropian.

Sipas saj, procesi i dialogimit ka nevojë për reforma urgjente.

Kearns nëpërmjet një postimi në platformën “X”, ka thënë se sikurse Mbretëria e Bashkuar edhe BE-ja duhet ta bëjnë të qartë se mbështesin ndërtimin e urave në Kosovë dhe jo bllokimin e rrugëve dhe ndarjen.

“E tmerruar kur shoh se BE-ja kërcënon Kosovën me masa të mëtejshme nëse rihapet Ura e Ibrit. Qeveria e re e Mbretërisë së Bashkuar dhe ekipi i ri i BE-së duhet të bëjnë të qartë se mbështesin ndërtimin e urave në Kosovë, jo bllokimet e rrugëve dhe ndarjen. BE-ja ende nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim kuptimplotë kundër Serbisë, pavarësisht provave të shumta që lidhin Milan Radoiçiqin dhe sulmuesit e Banjskës me shtetin serb. Ta ndëshkosh Kosovën për hapjen e një ure, duke injoruar Banjskën, tregon se vetë procesi është thellësisht i padrejtë dhe ka nevojë për reforma urgjente”, ka shkruar ajo.