Dy të lënduar dhe 20 vetura të djegura nga zjarri tek Aeroporti i Prishtinës


Një zjarr i madh ka shpërthyer të hënën pas mesnatës në afërsi të Aeroportit të Prishtinës, rast ky nga i cili janë lënduar dy persona dhe janë dëmtuar 20 vetura të parkuara.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 01:30, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në afërsi të Aeroportit të Prishtinës. Nga zjarri janë përfshirë 20 vetura të parkuara dhe një objekt biznesi. Në këtë rast është lënduar një person dhe janë shkaktuar dëme materiale” ka deklaruar Ahmeti.

Ndërsa shefi i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Mal Gashi, ka njoftuar për Albanian Post se dy persona kanë pësuar djegie në fytyrë dhe duar gjatë tentimit për të shuar zjarrin por që nuk kanë qenë zjarrfikësa.

“Dy persona gjatë tentimit për ta shuar zjarrin kanë pësuar djegie në fytyrë dhe duar dhe janë dërguar në spital për trajtim”, ka deklaruar Gashi.

Institucionet kanë theksuar se personat e lënduar po marrin trajtim mjekësor.

Ndërkohë që pas lokalizimit të zjarrit hetuesit policor në koordinim me institucionet përkatëse po kryejnë hetimet rreth rastit i cili është cilësuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Edhe Prevalla është përfshirë nga zjarri ditëve të fundit – për çka është kërkuar ndihma e institucioneve mbrojtëse për ta shuar atë pasi që kishte kapluar një pjesë të madhe.

Pas kësaj thirrje ekipeve të zjarrfikësve dhe shërbimeve emergjente u janë vënë në ndihmë edhe zyrtarë policorë e qytetarë vullnetarë.

Gjithashtu, një zjarr i madh është përhapur në pyjet e Oshlakut javën e kaluar, përkatësisht më 5 gusht, ndërsa Parku Kombëtar “Sharri”, më 8 gusht, ka bërë thirrje publike që institucionet të reagojnë sa më parë.

Në pamundësi të intervenimit nga toka, ndihmë për intervenim nga ajri i është kërkuar edhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR).

Sharri është Parku i parë Kombëtar i shpallur në Kosovë, në vitin 1986.

Ai menaxhohet në bazë të Ligjit për Parkun Kombëtar “Sharri”, dhe të disa ligjeve mbështetëse, që kanë të bëjnë me mjedisin, natyrën dhe pyjet.