Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standardet Profesionale ka dorëzuar një njoftim në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër katër zyrtarëve policorë të cilët nuk kanë marrë masa sipas Ligjit për Sigurinë e Trafikut Rrugor kundër një shoferi që po lëvizte me shpejtësi prej 272 kilometra në orë, por pjesëmarrësi në komunikacion vetëm ishte paralajmëruar.
Pas kontrolleve të kryera, rishikimit të materialit zyrtar dhe shqyrtimit të video regjistrimeve nga radari për datën 06.05.2024, është konstatuar se dy zyrtarë policorë, duke vepruar sipas urdhrit për matjen e shpejtësisë së lëvizjes së automjeteve me radar në autostradën Shkup-Veles, kanë konstatuar një shkelje të trafikut, gjegjësisht kanë matur një shpejtësi prej 272 kilometrash në orë të një automjeti “Porsche”, në një vend ku shpejtësia ishte e kufizuar në 120 kilometra në orë me shenjë trafiku.
Në vend që të përpilojnë procesverbal për shkeljen e konstatuar dhe një urdhër pagesë për shkelje, duke marrë parasysh se për këtë lloj shkeljeje sipas nenit 36 paragrafi 3 të Ligjit për Sigurinë e Trafikut Rrugor është parashikuar një gjobë prej 400 euro në kundërvlerë në denarë dhe ndalim për drejtimin e automjetit nga gjashtë deri në 12 muaj, ata vetëm e paralajmëruan kryerësin për shkeljen e trafikut.
Shefi i Njësisë Mobile për Sigurinë e Trafikut Rrugor kishte kërkuar nga shefi i Departamentit të Policisë së Uniformuar – Sektori për Çështjet e Trafikut që të mos shkruhej gjobë për shkeljen e kryer, për këtë arsye shefi i Departamentit të Policisë së Uniformuar – Sektori për Çështjet e Trafikut kishte ndikuar tek zyrtarët policorë që të mos konstatojnë shkelje sipas nenit 36 paragrafi 3 të Ligjit për Sigurinë e Trafikut Rrugor, por vetëm të japin një paralajmërim.
Kundër katër zyrtarëve policorë është dorëzuar edhe një propozim për fillimin e procedurës për shkelje të rëndë të rendit dhe disiplinës në punë.