Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë tërheq nga tregu një seri të kubave të supës të pasigurt nga “Podravka”

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka filluar një procedurë të menjëhershme për tërheqjen nga tregu të kubave të supës potencialisht të pasigurt nga Kroacia, për shkak të mundësisë së pranisë së trupave të huaj.

“Bëhet fjalë për kubën e supës së gjedhit të prodhuesit ‘Podravka’, seria 0507241, me afat përdorimi deri më 05.07.2025 dhe kubën e supës së pulës seria 0307241, me afat deri më 03.07.2025,” thonë nga AUV.

AUV i bën thirrje konsumatorëve që kanë blerë produktet e specifikuara me këto numra serikë të mos i përdorin, ose t’i kthejnë në vendin ku i kanë blerë, ose t’i shkatërrojnë.

Njoftimi i alarmit për produktet potencialisht të pasigurt që janë importuar në vend, AUV e mori dje në orët e vona të pasdites përmes Sistemit të Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqim të Pasigurt dhe Ushqim për Kafshë të BE-së.

Shteti raportues është Republika e Kroacisë, ku produktet e specifikuara janë tërhequr nga tregu.

Sipas informacioneve, bëhet fjalë për tërheqjen parandalore të produkteve, për shkak të disa problemeve që kanë ndodhur gjatë procesit të prodhimit, përkatësisht në makineritë.