Shëngjini është përfshirë nga një situatë apokaliptike, si pasojë e zjarreve që kanë përfshirë malin në afërsi të portit prej më shumë se 4 ditësh.
Erërat e furishme në zonë kanë favorizuar përhapjen e flakëve duke bërë që zjarri të mbërrijë deri në afërsi të banesave dhe resorteve në plazh.
Kjo ka bërë që forcat operacionale të zjarrfikëses të kërkojnë evakuimin e banorëve të zonës si dhe pushuesve. Evakuimi i turistëve dhe banorëve ka nisur që mesnatën e kaluar.
Por eskalimi i situatës dhe frika në rritje se zjarri mund t’i afrohet cisternës në port, e cila ka të depozituar brenda saj një depozitë me rreth 5 mijë litra gaz, ka bërë që të rritet numri i banorëve që kërkojnë të largohen nxitimthi nga Shëngjini për të shmangur pasojat e mundshme katastrofale.
Largimi i tyre ka shkaktuar radhë të gjata kilometrike në rrugë. Fatmirësisht deri në këto momente nuk ka të dhëna për të lënduar nga zjarret apo të intoksikuar nga tymi.
Qindra zjarrfikës nga Lezha, Shëngjini dhe qytetet përreth, të ndihmuar dhe nga Forcat e Armatosura po punojnë për të vënë zjarret në kontroll, teksa as ndërhyrja nga ajri nuk ka ndihmuar në stabilizimin e situatës.
Deri në këto momente raportohet se është djegur një lokal dhe një shtëpi trekatëshe, teksa flakët vijojnë t’i afrohen gjithnjë e më shume qendrës së Shëngjinit.
Ndërkohë, dy avionë të llojit Canadair, të mbrojtjes civile europiane kanë nisur betejën me flakët në Shëngjin, pak minuta më parë. Avionët janë të aftë të ulen në sipërfaqen e detit për t’u furnizuar dhe po hedhin sasi të mëdha uji në zonat ku flakët tashmë ndodhen pranë banesave.
Gjithashtu, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka njoftuar se ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike në zonën e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin, për shkak të zjarrit që e ka përfshirë atë.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë pas kërkesës së strukturave të rendit, si masë e nevojshme sigurie për të shmangur rreziqet e mëtejshme në zonën bregdetare, ku flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe kanë arritur deri në bregdet.
“Ekipet tona ndodhen në terren, në mbështetje të grupeve të emergjencës së krijuar për shuarjen e zjarreve”, thotë OSSH.