Erdogan: Turqia mund të hyjë në Izrael dhe t’i ndihmojë palestinezët

Turqia mund të hyjë në Izrael për të ndihmuar palestinezët, ashtu siç veproi dikur në Libi dhe Nagorno-Karabakh, tha të dielën presidenti Rexhep Tajip Erdogan.

“Duhet të jemi shumë të fortë që Izraeli në Palestinë të mos mund të bëjë atë që po bën tani (…)” tha presidenti turk në një tubim të partisë në pushtet Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në qytetin bregdetar të Detit të Zi, Rize, duke lavdëruar rezultatet e industrisë turke të armëve.

“Siç hymë në Karabakh dhe Libi, mund t’u bëjmë diçka të ngjashme edhe atyre,” tha Erdogan në fjalimin që u transmetua nga kanalet televizive.

Presidenti turk nuk e specifikoi se çfarë ndërhyrjeje kishte parashikuar, dhe përfaqësuesit e partisë së tij nuk iu përgjigjën pyetjeve për detaje nga deklarata e tij.

Izraeli nuk e komentoi menjëherë deklaratën e Erdogan-it.

Në vitin 2020, Ankaraja dërgoi ushtarë dhe pajisje ushtarake në Libi për të mbështetur qeverinë libiane të unitetit kombëtar dhe liderin e saj, Abdulhamid al-Dbeibah.

Vitit të kaluar, Turqia mohoi përfshirjen e drejtpërdrejtë në operacionin ushtarak të Azerbajxhanit në Nagorno-Karabakh, por theksoi se e mbështet aleatin e afërt “me të gjitha mjetet”, duke përfshirë trajnimin dhe modernizimin e ushtrisë, shkruan Reuters.