Deputetët e VMRO-së ende pa qëndrim për referendumin


Edhe pse të hënën ishte paralajmëruar se grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së sot duhet të dorëzojë raport deri te kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi për pjesëmarrje eventuale në fushatën publike për referendumin në nivel shteti, që do të mbahet në 30 shtator të këtij viti, atë deri tani nuk e ka bërë.

Nga Shërbimet e Kuvendit informojnë se njoftim të tillë partia nuk ka dorëzuar, ndërsa nga grupi parlamentar thonë se koordinohen dhe pastaj do ta thonë qëndrimin e tyre rreth kësaj çështje.

Kryetari i partisë, Hristijan Mickoski, kohë më parë paralajmëroi se partia nuk do të shfrytëzojë mjete shtetërore për fushatë dhe se atë do e bëjë me mjete partiake.

Të hënën nga kabineti i Xhaferit kanë thënë se grupet parlamentare të LSDM-së, BDI-së, PDSH-së, Aleancës për Shqiptarët dhe Besa, si dhe dy deputetë të pavarur apo 71 deputetë deri tek ai kanë dorëzuar shkresë me të cilën informojnë se deputetët e tyre do të marrin pjesë në fushatën e referendumit dhe se prononcohen “PËR” pyetjen e referendumit.

Deputeti Antonio Milloshoski, si deputet- individ dërgoi shkresë se do të merr pjesë në fushatën me qëndrim bojkotues pasi është kundër pyetjes së referendumit.

Siç kanë informuar nga kabineti i Xhaferit, të hënën ka pasur koordinim me të cilin ka udhëhequr ai, ndërsa kanë marrë pjesë kryetarët dhe koordinatorët e të gjitha grupeve parlamentare si dhe koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së me çka si edhe tjerët është njoftuar për terminin e mbajtjes.

Në takim është përsëritur se deputetët nuk do të marrin para, por Kuvendi do të blejë hapësirë mediatike dhe i njëjti proporcionalisht do të ndahet.

Kuvendi mes tjerash ka formuar Trup koordinues për përgatitje dhe zbatim të fushatës publike të cilën do ta udhëheq kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.