RRETH GJASHTË MIJË VOTUES ME ADRESA TË DYSHIMTA, REFERENDUM DO TË VËZHGOHET NGA NJË ORGANIZATË NGA INDIA


Rreth 5 deri në 6 mijë votues me të dhëna personale të dyshimta, adresa fiktive, grupe votuesish të regjistruar në një adresë ose të dhëna të tjera të dyshimta, vazhdojnë të mbeten në listën e votuesve dhe të njëjtit do të kenë të drejtë vote në Referendumin e 30 shtatorit. Ata janë pjesë e kontingjentit prej rreth 30 mijë votuesish të cilët dy vite më parë u problematizuan dhe u quajtën votues fantom dhe ishin pjesë e shqyrtimit të detajuar të listës së votuesve. Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor thotë se KSHZ nuk ka kompetenca për këtë çështje, por përgjegjësinë ia hodhi Ministrisë së Punëve të Brendshme, pasi këta të fundit furnizojnë qytetarët me dokumente personale dhe KSHZ-në me listën e qytetarëve me të drejtë vote.

Oliver Derkoski, kryetar i KSHZ-së

“Unë mendoj se në listën e votuesve nuk ka të ashtuquajtur votues fantom, pak është e keqe kjo terminologji votues fiktiv. Nuk janë shumë, pas përmirësimeve në vitin 2016 kur prej shumë institucionesh u bënë kontrolle, numri u ul. Atëherë u konstatua një numër prej 30 mijë që kishin problem të kësaj natyre, por me kalimin e kohës u ul ky numër dhe vlerësoj se më shumë se 5 deri 6 mijë nuk janë”
Këto komente u bënë pas mbledhjes së sotme të Komisionit Shtetëror Zgjedhor ku u pranua edhe kërkesa e një organizate jo qeveritare nga India e cila ka shprehur interesim për monitorimin e referendumit të 30 shtatorit. Organizata e cila quhej “Fondacioni për shpëtimin e shtetit” do ta mbikëqyrë referendumin me vetëm një vëzhgues. Përveç tyre, deri më tani KSHZ ka pranuar edhe kërkesën e shoqatës Komiteti për Demokraci dhe misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR. KSHZ konfirmoi sot edhe numrin përfundimtar të personave të paraqitur për votim në diasporë ku gjithsej janë regjistruar 2768 persona. Ata do të votojnë në 33 përfaqësi diplomatike dhe konzulare, ndërsa për shkak të numrit të ulur të personave të paraqitur, KSHZ njoftoi se nuk do të votohet në Tiranë, Prishtinë, Moskë dhe në shumë vende të tjera, ndërsa numri më i madh i të paraqiturve janë në ambasadën e Maqedonisë në Bern.