“Shumë i guximshëm qenke, pasi ke ardhur këtu”: Koci shpjegon si u prit nga zyrtarët në Serbi, pasi shkoi për trupin e Faton Hajrizit


Avokati Arianit Koci, i cili është i autorizuar për të kryer procedurat e nevojshme që trupi i Faton Hajzirit të kthehet në Kosovë, ka ndarë detaje gjatë qëndrimit në Serbi.

Ai thotë se kur shkoi në Lloznicë të Serbisë, zyrtari i morgut është habitur, dhe e ka filluar bisedën me shumë hezitim.

“Sado që isha i kujdesshëm dhe profesional në bisedë, emocioni i habisë, gradualisht iu shndërrua në nervozë. Nuk e fshihte”, deklaroi Koci.

“E kishte njohur policin e vrarë. ‘Fatonin e ke këtu prapa teje. As një metër larg! – me shikonte në sy, duke folur. ‘Shko në stacionin e policisë. Po të presin.’ – ishte lamtumira e tij!”, tha tutje juristi.

Avokati thotë se një oficer serb e priti me fjalë kërcënuese në stacionin e policisë në qendrën e qytetit, duke i thënë “Shumë i guximshëm qenke, pasi ke ardhur këtu”.

Koci, deklaroi se pas kësaj oficeri, duke folur dhe duke i përcjellë reagimet e tij, i tha se: “Lloznica është qytet i vogël, dhe të gjithë e njohim njëri tjetrin. Polici i vrarë ka punuar mu në këtë stacion, dhe ka qenë më i urti dhe më i qeti prej neve”.

Juristi, tha se derisa ishte i fokusuar në bisedë me shefin e ndërrimit të stacionit policor, përnjëherë e ka vërejtur se është i rrethuar nga shumë policë, raporton Klankosova.tv.

“Me sjellje të mira dhe profesionale, iu shpjegova rolin tim si avokat. I dorëzova dokumentet e të vrarit nga policia, Faton Hajrizi”, shpjegoi tutje ngjarjen ai, përmes një postimi në Facebook.

“Askush nuk më tha që jam i arrestuar, por ishte e qartë: tani më nuk mund ta lëshoja stacionin e policisë, deri në urdhërin e rradhës”, shtoi Koci.

Ai thotë se pas kësaj e e mbajti tempon e bisedës, duke e vëzhguar situatën rreth vetës, me “bisht të syrit”.

“Prapa meje ishin dy policë muskuloz me rroba civile. Kolegët e tyre ishin të pozicionuar në mënyrën e tillë, që mos të më lejonin të ikja, po të më shkonte në mend. Forcat shtoheshin! ‘Ka ardhë në policinë e Lloznicës avokati i Faton Hajrizit’ – dëgjoheshin pëshpërimat”.

Koci thotë se hetuesi pasi filluan zyrtarisht takimin i ka thënë se i ka ardhur rëndë kur e pa parë atë, ndërsa ardhjen e tij e ka cilësuar si provokim, ndërsa e ka përsëritur shprehjen “më befasoi guximi yt”.

“Tensioni filloi me rënë. E mbaja distancën në bisedë, me sjellje të mira dhe profesionale. ‘Pjesa tjetër e punës, duhet të kryhet në Beograd’ – më tha oficeri, pas disa orësh. Më përcjelli deri te vetura”, bëri të ditur avokati.

“Dje jam zgjuar në orën pesë të mëngjesit dhe kam udhëtuar për Beograd the Lloznicë. Tërë ditën në punë, takimin e fundit e kam përfunduar pas mesnatës. Sot, në orën gjashtë të mëngjesi, veç kam dalë prej hotelit në Beograd! Kafën e mëngjesit, po e përcjelli me shtypin ditor serb. Nacionalizëm, primitivizëm dhe folklorizëm patriotik. Mediat po e helmojnë popullin në Serbi”, tha ai.

Koci njoftoi se gjatë ditës e pret thirrjen prej prokurorisë në Beograd.

“Çështja e kthimit të trupit të Fatonit, e ka marrë kahjen e vet. Do të kthehet. Vetëm është çështje kohe dhe procedurash!”, theksoi ai.